Ndërlidhjet

logo-print

Geci akuzon për krime politike


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Gjatë debatit për raportin e progresit për Kosovën, deputeti i LDD-së, Gani Geci, inicioi akuza të ashpra për përfshirje në krime politike ndaj disa deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.



Debati për raportin e progresit për Kosovën, i hartuar nga Komisioni Evropian, është kthyer në një debat mbi dhunën politike, ku janë dëgjuar dhe akuza të ashpra të deputetëve në adresë të kolegëve të tyre.

Ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, ai i cili, teksa mbante një CD në dorë, tha se ka argumente, dëshmi dhe xhirime, që zyrtarë të Qeverisë aktuale të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit janë të përfshirë në vepra kriminale pas luftës e këndej.

Sidomos, ai veçoi përfshirjen e tyre, sipas tij, në krime politike.

“Në këtë Kuvend, ka edhe ministra e zëvendësministra që kanë dhënë urdhra të vrasin deputetë të tjerë, kam fakte. Me fakte. I nderuari kryetar, nuk jeni ju, as zotëri kryeministër nuk është ai që ka dhënë urdhra, por ka edhe në kabinetin qeveritar burra që kanë dhënë urdhra për të vrarë deputetë”.

“Kolegët tanë, që tani janë deputetë dhe po i përmend me emra, kanë dhënë urdhra për ta vrarë zotin Agim Veliu, kanë dhënë urdhra për ta vrarë zotin Adem Salihaj”,
tha Gani Geci.

Deputeti Geci kërkoi që dëshmitë e tij t’ua transmetojë edhe deputetëve dhe opinionit publik. Por, ndaj kësaj kërkese reagoi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke e udhëzuar Gecin që t’i drejtohet prokurorisë.

“Janë organet e gjyqësisë ato, të cilat duhet dhe do ta tregojnë që kush është kupola e krimit dhe e mafias në Kosovë”, u tha gazetarëve Krasniqi.

Kërkesa e Gecit u mbështet për një debat në kuadër të grupeve parlamentare nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes shefit të grupit, Lutfi Haziri, i cili tha se, megjithatë, në Kosovë, sidomos pas luftës, ka ekzistuar dhuna politike.

“Duke qenë dëshmitarë dhe pjesë të dhunës politike pas luftës, ne nuk mund ta injorojmë faktin. Ne kërkojmë një komision ‘ad-hoc’, i përzier nga të gjitha grupet parlamentare, që ta shohë dëshminë në prani të kryetarit të Kuvendit dhe organeve tjera, ose të gjendet rrugë për ta proceduar”, theksoi Haziri.

Kuvendi u detyrua të shpallë një pauzë, ku janë zhvilluar konsultime ndërmjet partive politike dhe kryetarit Jakup Krasniqi.

Çështja u tejkalua, kur shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, kërkoi që Geci, apo secili deputet që ka argumente për krime dhe dhunë politike, t’i adresojë ato në organet përkatëse dhe jo përmes Parlamentit.

“Unë e lus Ganiun, që të gjitha ato materiale t’i përcjellë në prokurori, pastaj të merret edhe instanca më e lartë e zbulimit të këtyre gjërave dhe ne këtu ta ndëshkojmë dhe dënojmë politikisht. Por, të jemi insistues që të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, ato që janë përgjegjëse, të merren me këto gjëra dhe ne ta pastrojmë këtë, qofshin ata edhe të afërm, familjarë tanë, të ndëshkohen, sepse meriton të ndëshkohet secili që e bën krimin”, tha Buja.

Pas deklaratave të përbashkëta të grupeve parlamentare që të përkrahet çdo nismë e argumentuar në lidhje me krimin, Lidhja Demokratike e Dardanisë u pajtua dhe iu kthye debatit për raportin e progresit. LDD-ja ishte inicuese edhe e debatit në lidhje me raportin e progresit.

Derisa kryeministri dhe partia shumicë në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës, e cilësuan këtë raport si real, pjesa tjetër e partive politike në Kuvend vlerësuan se bëhet fjalë për një raport që tregon kthim prapa në zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulëzim Zeneli, tha se raporti konstaton kthimin e Kosovës prapa, në vend se të ketë përparime.

“Zotërinj qeveritarë, është faji juaj që në këto vite nuk arritët ta ruani dhe zhvilloni shkallën e demokracisë në vend. Nuk arritët ta ruani dhe garantoni lirinë e shprehjes së mediave, nuk krijuat kushte dhe premisa për një gjyqësor të pavarur dhe efikas; nuk bëtë punën më të vogël për të luftuar të keqen më të madhe në vend - korrupsionin”, u shpreh Zeneli.

Në vazhdim, kryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi raportin e Komisionit Evropian si pozitiv, kurse vërejtjet që janë dhënë aty për fusha të caktuara, ai tha se kanë të bëjnë me sfidat identike edhe të qeverisë së tij. Thaçi theksoi se raportet e fundit të Komisionit Evropian tregojnë qartë perspektivën evropiane të Kosovës.

“Dëshiroj t’ju siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e angazhuar për të hyrë në fazën tjetër të procesit. Kurse, sfidat që dalin nga këto dy dokumente, raporti i progresit dhe studimi i fizibilitetit janë prioritet i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimin e reformave si përgatitje për integrim në strukturat euro-atlantike”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, vlerësoi se raporti i Komisionit Evropian dëshmon për stagnime të shumta në Kosovë. Gjini tha se fajtor për përmbajtjen e raportit nuk është Brukseli, por mosfunksionim i Qeverisë së Kosovës.

“Paramendojeni ju, në vitin e parë të pavarësisë së Kosovës të kemi degradim të sistemit, degradim në liri të mediave, të kemi rritje të korrupsionit, rritje të keqmenaxhimit të ndërmarrjeve publike edhe në institucione të shtetit, shembull marr në emërime”, tha Gjini.

Në fund, si rekomandime për këtë raport, u kërkua që Kuvendi ta ketë rolin e vet në procesin e integrimeve për përmbushjen e kritereve të parapara në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG