Ndërlidhjet

logo-print

PDK reagon ndaj akuzave të deputetit Geci



Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka reaguar ndaj akuzave të ngritura gjatë ditës së sotme nga deputeti Gani Geci në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Geci ka akuzuar për krime politike, siç ka thënë “pjesëtarë të kabinetit qeveritar”.

“PDK shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me deklaratat e fundit politike të ngritura nga segmente të caktuara të parapolitikës kosovare, të cilat bëhen për konsum elektoral, dhe si qëllim kanë që agjendën politike shtet-formuese ta kthejnë në agjendë krimi dhe urrejtjeje ndërqytetare”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Kryesia e PDK-së ka thënë se, “deklaratat e fundit politike, duke keqpërdorur Parlamentin e Kosovës nga individë që kanë gjakosur dhe njollosur lirinë e Kosovës, kanë për qëllim degradimin e procesit të shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të vendit tonë”.

Tutje thuhet se, “PDK-ja edhe një herë shpreh vendosmërinë për të ecur të bashkuar në procesin e shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të vendit, si dhe fton qytetarët e Republikës së Kosovës të distancohen dhe të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo skenari që ka për qëllim të nxisë urrejtjen dhe dhunën”.

PDK-ja ka theksuar se shpreh mbështetjen e plotë për organet profesionale të hetuesisë dhe gjyqësisë “në luftimin e krimit politik dhe atij ekonomik”.
XS
SM
MD
LG