Ndërlidhjet

Në Kosovë festohet Kurban Bajrami


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ftoi besimtarët të reflektojnë ndjenjën e humanitetit, solidaritetit e bamirësisë.





Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin. Në Kosovë, ceremonia kryesore e faljes së Kurban Bajramit u mbajt në xhaminë e qytetit në Prishtinë.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ftoi besimtarët të reflektojnë ndjenjën e humanitetit, solidaritetit dhe të bamirësisë.

“Njeriut i takon të sillet mirë ndaj njerëzve, të përpiqet të krijojë vepra të mira dhe të rrezatojë mirësi, për çka shoqëria njerëzore ka nevojë, pa dallim feje, etnie, race apo vendi”, tha Tërnava.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, liderët e institucioneve të Kosovës kanë uruar Bashkësinë Islame dhe të gjithë besimtarët myslimanë.

Në mesazhin e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, thuhet se kjo festë simbolizon sakrificën për të mirën, paqen dhe lumturinë e të gjithë njerëzve kudo në botë, duke e rritur ndjenjën e dhembshurisë dhe të bamirësisë për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe solidaritet.

Republika e Kosovës po e shënon këtë festë me arritje të mëdha në të gjitha fushat, thuhet më tej në mesazhin e presidentit.

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Festës së Kurban Bajramit, së bashku me dy zëvendëskryeministrat e tij, i bënë një vizitë Bashkësisë Islame të Kosovës, ku u pritën nga myftiu Naim Tërnava.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi tha:

“Uroj zotin Tërnava për festën e Kurban Bajramit. Përveç këtij urimi, dëshiroj t’i përshëndes dhe t’i uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjithë besimtarët islamë për festën e Kurban Bajramit, një festë kjo e solidaritetit, e sakrificës, e vullnetit të lirë e pozitiv, e vëllazërisë, e mirëkuptimit, e angazhimeve të përbashkëta”.

“E çmoj shumë rolin e Bashkësisë Islame për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në procesin e shtet-ndërtimit dhe të kultivimit të tolerancës, edhe qytetare, edhe fetare. Ne kemi një vit e gjysmë të pavarësisë. Kemi arritur suksese të jashtëzakonshme. Pjesë e këtij suksesi janë të gjithë qytetarët, i gjithë spektri politik, të gjitha komunitetet fetare”,
tha Thaçi.

Bashkësinë Islame të Kosovës e vizitoi edhe kryekuvendari Jakup Krasniqi. Në emër të Kuvendit të Kosovës, ai uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, por edhe për atë të 28 nëntorit.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vizitës që i bëri Bashkësisë Islame, uroi besimtarët myslimanë me dëshirën që kjo festë dhe festat e tjera të sjellin fat dhe të mira në jetë.

“Shpreh kënaqësinë që e urova myftiun e Kosovës, zotin Naim Tërnava, Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës dhe të gjithë besimtarët. Kurban Bajrami e ka edhe një domethënie të sakrificës për të tjerët, për të mirën e të tjerëve, andaj, me këtë rast, në emër të kësaj ndjenje, i uroj edhe një herë Bashkësisë Islame, besimtarëve, Kurban Bajramin”, tha Haradinaj.

Selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, sot, gjatë ditës, e kanë vizituar edhe përfaqësues te tjerë të partive politike dhe qytetarë të shumtë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG