Ndërlidhjet

Kushtet e rënda për jetesë, mungesa e higjienës dhe rreziku nga sëmundjet janë brengat kryesore të banorëve në strehimoren që gjendet në periferinë verilindore të Prishtinës. Për gjendjen e tyre, ata kritikojnë institucionet përgjegjëse në Kosovë, të cilat, siç thonë ata, nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar situatën ekzistuese në këtë strehimore që nga paslufta.


Rreth 25 familje, të cilat janë të strehuara në strehimoren kolektive në lagjen “Fusha e pajtimit” në Prishtinë, jetojnë në kushte tejet të vështira dhe pa ndonjë vizion të qartë për të ardhmen e tyre.

Banorët e kësaj strehimoreje thonë se presin me padurim ditën kur autoritetet komunale do të marrin një vendim të prerë për mbylljen e strehimores dhe vendosjen e tyre në banesat sociale, të cilat janë duke u ndërtuar në të njëjtin lokacion.

Ata rrëfejnë për jetën e tyre, kushtet në të cilat jetojnë dhe pengesat e përditshme, duke thënë se çdo ditë e re, për ta fillon me pyetjet e zakonshme: Deri kur më? Çfarë më tutje?. Por, këto pyetje deri më tash kanë ngelur pa përgjigje nga institucionet komunale.

Jo rrallë, këto familje, siç thonë banorët e strehimores, përballen me sëmundje të ndryshme. Ndër to është edhe familja e Naile Ahmetit.

“Jemi pesë anëtarë. Jetojmë në kontejner në ‘Fushë të pajtimit’. Kam dy djem dhe një vajzë, e cila është e sëmurë nga zemra. Ka lindur me një anomali në zemër. Dy operacione i ka kryer dhe një e ka tash”.

“Po mundohemi t’i mbledhim paratë nëpër shoqata, por, njëherë për njëherë, nuk ka asgjë”,
thotë Nailja.

Ajo tregon se si deri më tash nuk e ka gëzuar mbështetjen e institucioneve në lidhje me kurimin eventual të vajzës, e cila është bërë preokupim familjar.

“Sa i përket qeverisë, nuk kemi asnjë ndihmë, vetëm përmes popullit. Falënderoj ata që ndajnë dhimbjen me vajzën time”, shprehet Nailja.

Në njërën nga barakat që gjenden në këtë strehimore është edhe familja 6-anëtarëshe Begolli. Kryefamiljari Qerimi është invalid i punës. Ai thotë se jeton nga pensioni prej 45 eurosh dhe kjo ndihmë sociale, sipas tij, nuk mjafton as për barna.

“Kushte shumë të vështira, pa përkujdesje. Kemi bërë ankesa, shkresa në të gjitha institucionet, por të gjitha kanë rënë në vesh të shurdhër. Popullata po na ndihmon, sepse, përndryshe, ne kemi mbetur në mëshirë të Zotit”, thotë Qerimi.

Strehimorja në lagjen “Fusha e pajtimit” përbëhet nga barakat e metalta, të cilat nuk ofrojnë kushte të përshtatshme të strehimit.

Bejtë Hasimi thotë se mbyllja e kampit dhe vendosja në banesat e siguruara nga komuna, është e vetmja mënyrë për të ikur nga situata aktuale.

“Ne presim që, sa më shpejt, Komuna e Prishtinës të na vendosë në këto banesa sociale. Presim, sa më shpejt, të vendosemi dhe të kemi kushte më të mira”, thotë ai.

Shumica e të strehuarve, para se të vendoseshin në këtë strehimore, kanë jetuar në konviktin e ish-shkollës normale në Prishtinë, mirëpo janë larguar nga aty pas një marrëveshjeje në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Arsimit, që konvikti “Mehë Uka” t’i jepet në shfrytëzim Universitetit Amerikan të Kosovës për 10 vjetët e ardhshëm.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG