Ndërlidhjet

logo-print

Kosova e gatshme për GJND


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Institucionet e Kosovës deklarohen se janë të përgatitura për procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe seancat dëgjimore që fillojnë nga 1 dhjetori.

Prishtina zyrtare i ka deponuar deri tash GJND-së dy deklarata me shkrim - e para, ku argumentohet e drejta e Kosovës për të qenë shtet i pavarur e sovran, dhe e dyta, ku kundërshtohen argumentet e Serbisë dhe vendeve të tjera që mendojnë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, konfirmoi pjesëmarrjen e Kosovës në seancat dëgjimore. Por, sipas tij, pavarësisht shumë pritjeve, mund të ngjajë që GJND-ja, në fund, të mos dalë me ndonjë mendim këshillëdhënës në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

I mbetet gjykatës që në një afat optimal të dalë me qëndrim, përkatësisht të dalë me një mendim këshillëdhënës, nëse fare do ta vlerësojë si të domosdoshëm që të japë mendim. Gjithnjë duhet ta kemi parasysh edhe mundësinë që gjykata të mos japë mendim fare”, tha Hyseni.

Nga data 1 deri më 13 dhjetor, Kosova në njërën anë dhe Serbia - iniciuese e procesit, si dhe vendet që kanë paraqitur interesim për të mbrojtur apo kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, do të paraqesin dëshmitë e tyre gojore para gjykatës.

Dëshmitë në emër të Kosovës pritet t’i prezantojë i ngarkuari i Kosovës në këtë proces, Majkëll Vud.

Ministri Skënder Hyseni tha se Kosova është mirë e përgatitur dhe do ta argumentojë fuqishëm të drejtën e saj dhe të popullit për pavarësi e liri.

“Ne jemi të sigurt që bota, e më këtë edhe GJND-ja, do të dijë t’i vlerësojë të arriturat në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, do të dijë t’i vlerësojë pozitivisht proceset, të cilat Kosova po i kalon shumë me sukses. Dhe, një test i tillë i rëndësishëm ishin zgjedhjet për komunat e Kosovës. Ne kemi besim të paluhatshëm në paanësinë e GJND-së”, tha Hyseni.

Për dallim nga ministri i Jashtëm, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, përveç se shprehu pakënaqësi me transparencën e këtij procesi, shprehu edhe dyshime në lidhje me përgatitjet e Ministrisë së Jashtme dhe Kosovës në përgjithësi për procesin para GJND-së.

“Nga ato aktivitete, të cilat unë i di që i ka zhvilluar Ministria e Jashtme, nuk jam shumë i sigurt se është bërë maksimumi, kur kihet parasysh se në periudhën e fundit nuk kemi ndonjë aktivitet të shtuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të kontakteve me shtetet, të cilat do të participojnë direkt ose indirekt në GJND”, deklaroi Gashi.

Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë pritur që procesi i Hagës të rezultojë me një mendim pozitiv për pavarësinë.

Bazuar në deklaratat e disa vendeve se e presin vendimin e Hagës para se të vendosin për njohjen e Kosovës, pritjet në Prishtinë kanë qenë që pas prillit të vitit të ardhshëm, kur mendohet se mund të përmbyllet procesi në GJND, të pasojnë njohje të reja të Kosovës në një numër më masiv.

Por, së fundmi, ishte edhe Albert Rohan, njeriu i dytë gjatë procesit negociator për statusin, ai i cili i paralajmëroi sërish kosovarët se mund të ngjajë që GJND-ja në Hagë të dalë me një mendim të përgjithësuar, i cili do t’i lë hapësira interpretimi pozitiv si Kosovës, ashtu edhe Serbisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG