Ndërlidhjet

Gruevski: Nuk ka progres për emrin


Jorgos Papandreu dhe Nikolla Gruevski
Jorgos Papandreu dhe Nikolla Gruevski
Në margjinat e samitit rajonal ekologjik ndërmjet shefave të qeverive të Greqisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, Jorgos Papandreu, Nikolla Gruevski dhe Sali Berisha, është mbajtur takimi i kryeministrave Papandreu dhe Gruevski.


“Nuk u arrit përparim në kontestin rreth emrit”,
deklaroi kryeministri maqedonas pas takimit që u mbajt në Pili të Greqisë.

Ai shprehu kënaqësinë për kontaktet e shpeshtuara në nivel të lartë që janë zhvilluar kohëve të fundit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, por theksoi se nuk ka përparim në bisedimet, sepse Greqia mbetet edhe më tutje në vijën e kuqe të saj.

“Praktikisht, mu kumtua se pala greke mbetet në pozitat, të cilat i prezantoi negociatori i tyre në Nju Jork, si për emrin, ashtu edhe për identitetin. Në këtë kuadër, nuk mund të them se kemi ndonjë përparim, por do të vazhdojmë me bisedimet dhe me dialogun”, tha Gruevski.

“Kërkova nga zoti Papandreu që edhe një herë të mendojnë për atë që duhet të ndodhë në dhjetor, respektivisht të mos e bllokojnë Republikën e Maqedonisë, që ajo të fitojë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i Maqedonisë.

Ai tha se vetoja e Bukureshtit për hyrje në NATO edhe më shumë i vështirësoi marrëdhëniet, prandaj ka apeluar që edhe një herë të mendohet për vendimin, i cili mund të ketë pasoja afatgjata.

“Ne duam të gjejmë zgjidhje. Interesi ynë shtetëror është të gjejmë zgjidhje dhe të vendosim marrëdhënie të mira me Republikën e Greqisë, në të cilat nuk do të kemi shumë çështje të hapura. Por, me bllokada dhe me shantazhe nuk arrihet përparim dhe rezultate”, tha Gruevski.

Ndërkohë, kryeministri i Greqisë, Papandreu ka shfaqur shpresën se zgjidhja për ceshtjen e emrit të Maqedonisë mund të gjendet gjatë disa muajve apo një viti.

Cështja, e cila po zgjat 18 vjet nuk mund të zgjidhet brenda disa ditëve. Por, ekziston vullnet politik për të gjetur zgjidhjen, dhe përpjekjet e tilla do t’i mbështesë edhe BE-ja", ka thënë Papandreu për mediat greke.

Lidhur me pozicionet e Greqisë, Papandreu ka thënë se ato nuk duhet të kuptohen si kërcënime.

Shpresoj se z. Gruevski i kuptoi pozicionet tona. Nëse gjendet zgjidhje për emrin, atëherë Greqia mund t’ia lehtësojë rrugën IRJM-së drejt BE-së", ka deklaruar kryemninistri grek Papandreu.

Nikolla Gruevski, Jorgos Papandreu dhe Sali Berisha



Më herët, kryeministrat e Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, Jorgos Papandreu, Sali Berisha dhe Nikolla Gruevski, u zotuan për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet tri vendeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Në deklaratën nga takimi trepalësh ata shprehën gatishmëri për të ruajtur sistemin ekologjik të Liqenit të Prespës.

“Besojmë se aktiviteti ynë i përbashkët paraqet shembull unik nisur nga fakti se Parku i Prespës është i pari rajon ndërkufitar i mbrojtur në Evropën Juglindore”, thuhet në deklaratën e tre kryeministrave, e cila siç theksohet, është mbështetje për konferencën globale mbi klimën në Kopenhagë.
XS
SM
MD
LG