Ndërlidhjet

logo-print

Festohet 28 Nëntori

  • RFE /RL

Në Shqipëri u shënua 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë. Gjatë ditës u zhvilluan një sërë veprimtarish, ndërsa manifestimi kryesor u mbajt në Vlorë, qytet ku më 28 Nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti Flamurin e Pavarësisë.


Dita e Pavarësisë u shënua edhe në Kosovë. Raportohet se për në Vlorë, janë nisur edhe shumë kosovarë, për të marrë pjesë në kremtimet e 28 Nëntorit.

Shumë prej tyre natën e kanë kaluar në Tiranë, ndërsa në mëngjes janë nisur për në Vlorë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, tha se “u uroj shqiptarëve për këtë festë të madhe”, ndërsa kryeministri Berisha theksoi se, “jemi krenarë me historinë tonë, flamurin, me të cilin luftuan qindra e mijëra luftëtarë shqiptarë; flamurin për të cilin ranë mijëra djem e vajza”.

Lideri i opozitës në Shqipëri, Edi Rama, të shtunën do të jetë në Vlorë për të marrë pjesë në manifestimet me rastin e Ditës së Pavarësisë

* * * * *

28 Nëntori - Dita e Flamurit

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, si dhe ata të partive politike ua urojnë qytetarëve Festën e 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit Shqiptar.

Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kjo festë në Kosovë është definuar me Kushtetutë si Dita e Shqiptarëve.

“Kushtetuta e zyrtarizon 28 Nëntorin si festë memoriale, por përtej këtij përcaktimi juridik, kjo ditë shënon festën e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë”
, thuhet në telegramin e urimit të presidentit Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi thotë se Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori, e gjen shtetin demokratik të Kosovës në rrugën e pandalshme të integrimit në institucionet euro-atlantike.

"Në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, gjithë bashkëkombësit tanë krenohen me të arriturat e përbashkëta në rrugën drejt integrimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm”, thotë kryeministri Thaçi në urimin e tij.

Për të shënuar Ditën e Flamurit, lëvizja “Vetëvendosje” dhe rrjeti i organizatave joqeveritare organizuan në sheshin “Nëna Terezë” aktivitete të ndryshme, ku mbizotëronin flamuj e simbole kombëtare shqiptare.

Ndërkaq, kishin larguar flamujt e Kosovës të vendosur nga komuna e Prishtinës.

Aktivisti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, thotë se shqiptarët nuk mund të largohen asnjëherë nga flamuri i tyre kombëtar.

Për dallim nga partitë politike dhe politika zyrtare e Qeverisë së Kosovës, kjo Lëvizje ka kohë që promovon ide të bashkimit të shqiptarëve, ide këto të potencuara edhe të shtunën, në fjalimin në qendër të Prishtinës nga aktivisti Visar Ymeri.

“Shqiptarët e mbetur jashtë e mbanin shqiponjën dykrenore për flamur të vetin. Atij nuk i thoshim flamuri i Shqipërisë, por flamuri ynë. Me këtë tregonim dy gjëra, tregonim atë që ishim dhe atë që përpiqeshim ta bënim. Ishim shqiptarë dhe përpiqeshim të bashkohemi”,
thotë Ymeri.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, në qendër të Prishtinës është hapur dhe Panairi i produkteve shqiptare, ku janë ekspozuar prodhime artizanale, si veshje kombëtare, punë dore, vegla muzikore e deri te prodhimet tjera nga ndërmarrjet vendore.

Edhe qytetarët mendojnë se 28 Nëntori duhet të festohet në Kosovë dhe vise tjera të banuara me shqiptarë, sikurse edhe në Shqipëri.

“Unë jam qytetar i Kosovës, por unë jam shqiptar dhe 28 Nëntori e ka po atë ndjenjë që e ka pasur edhe para pavarësisë së Kosovës”
, thotë një qytetar.

“Ne të gjithë jemi një popull, një komb, si ata të Shqipërisë, si ne këtu. Krejt jemi një popull dhe është dashur të festojmë edhe ne normalisht si ata atje
”, u shpreh qytetari tjetër.

Ndryshe, telegrame urimi për 28 Nëntorin kanë adresuar edhe përfaqësues të opozitës. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ua ka uruar këtë festë shqiptarëve kudo që jetojnë.

Haradinaj potencon rëndësinë që kanë proceset, nëpër të cilat po kalojnë shqiptarët në këto vite, duke e vlerësuar shekullin XXI si shekull të fuqizimit të dinjitetit shqiptar kudo në botë dhe të faktorizimit të kombit në rajon e më gjerë.

Po ashtu, liderët kosovarë u kanë drejtuar mesazhe urimi edhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha si dhe liderëve e përfaqësuesve të tjerë politikë të Shqipërisë. (Z.G.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG