Ndërlidhjet


Në Kosovë ekzistojnë rreth 809 institucione private shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ka edhe të tilla që funksionojnë pa licencë.


Osman Veliu, shef i sektorit privat në Ministrinë e Shëndetësisë, shpjegon më shumë:

“Deri tani janë licencuar 809 institucione të kujdesit privat shëndetësor, prej tyre 14 janë spitale, dy janë spitale të përgjithshme dhe numri më i madh i tyre është në Prishtinë”.

“Diku në rreth 2500 banorë, ekziston një institucion i kujdesit privat shëndetësor i licencuar. Mirëpo, në Kosovë ofrojnë shërbime për pacientë edhe institucione shëndetësore pa leje”.


Procesi i licencimit ka filluar në vitin 2006 dhe brenda këtyre tri viteve, 90 për qind kanë licencë pune dhe nga autoritetet thuhet se e respektojnë ligjin.

Për t’u licencuar një ordinancë private duhet t’i ketë kushtet minimale për punë dhe t’i përmbushë kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Mirëpo, jo të gjithë kanë fatin e licencimit të institucioneve shëndetësore. Safet Dragusha, tash e 20 muaj pret përgjigje nga Ministria për licencimin e objektit të tij për teknik dhëmbësh, “Da Vinci”, në Prugovc.

“Lidhur me licencimin, kemi aplikuar në ministri dhe gjatë gjithë kësaj kohe i kemi përmbushur të gjitha kushtet, si teknike, ashtu edhe me dokumentacion. Ministria nuk na ka kërkuar asgjë me shkrim, ato që është dashur, i kemi plotësuar dhe e kemi marrë përgjigjen negative”.

“Disa herë kemi kërkuar nga shërbimi profesional në ministri të vijë dikush nga stomatologët ose profesorët dhe të na japë një preferencë se si duhet të jetë ndryshe, por asnjëherë nuk ka qenë askush nga njerëzit profesionalë të këtij lëmi”,
thotë Dragusha.

Ndërkaq, sipas Osman Veliut, problemi me vonesat qëndron edhe te puna e komisioneve vlerësuese.

“Ka pasur ngecje në punën e komisioneve vlerësuese. Ka një vit e gjysmë që këto komisione nuk janë paguar dhe jemi në situatë të rëndë; nuk e di si do t’ia dalim në krye me këtë gjendje”,
shprehet Veliu.

Zef Komoni, kryeinspektor shëndetësor, thotë se me gjithë licencimin, në Kosovë ka ordinanca private që punojnë pa licencë.

Por, siç thotë Komoni, inspektorati shëndetësor gjatë vitit 2009 ka gjobitur mbi 80 raste dhe vetëm në muajin shtator janë ngritur 6 kallëzime penale.

“Kohëve të fundit, si prioritet i kemi vendosur vetes të gjenden të gjitha institucionet private shëndetësore, të cilat nuk kanë aplikuar, ose janë refuzuar nga bordi”.

“Çdo ditë gjenden institucione private që nuk kanë aplikuar dhe inspektorati e lëshon procesverbalin e inspektimit si dhe vendimin. Sipas Kodit Penal të Kosovës, secili institucion pa licencë bën rrezikimin e shëndetit publik të popullatës dhe dënohet nga 1 deri në 3 vjet burg”,
sqaron Komoni.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG