Ndërlidhjet

Në pritje të konsensusit politik


Gjykata në Mitrovicë

Gjykata në Mitrovicë

Konsultimet mes EULEX-it, Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ende nuk kanë sjellë ndonjë rezultat në lidhje me rikthimin e gjykatësve vendorë në gjykatat në veri të Kosovës. Sidoqoftë, përfaqësues të këtyre gjykatave dhe ata të EULEX-it, theksojnë se po bëhen përgatitjet teknike për t’i rifunksionalizuar tërësisht këto institucione.



Përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, ritheksojnë nevojën e rikthimit të gjykatësve e prokurorëve vendorë në gjykatat në veri të Kosovës dhe thonë se në aspektin teknik po bëhen përgatitjet për një kthim eventual të punonjësve shqiptarë e serbë në ato institucione.

Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, njofton se që nga seanca e parë gjyqësore, e udhëhequr nga paneli i gjykatësve e prokurorëve evropianë në fillim të muajit mars, deri më tani, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë janë gjykuar katër raste, ndërsa këtë javë ka filluar gjykimi i rastit të pestë.

Angazhime të tjera, sipas saj, janë bërë edhe nga stafi administrativ vendor i përbërë nga tre shqiptarë dhe tre serbë.

“Janë me mijëra raste të pazgjidhura dhe njerëzit që punojnë atje kanë përzgjedhur tashmë 50 rastet më urgjente. Tani, rreth 3000 të ashtuquajtura dosje gjyqësore janë klasifikuar në bazë të akuzave, në bazë të vitit dhe është bërë një punë e madhe”.

“Ndërsa, është duke u punuar në rreth 7200 dosje prokuroriale. Kjo punë është bërë, ndërsa po vazhdohet për t’i rikthyer gjykatësit dhe prokurorët vendorë atje”,
bën të ditur Herodes.

Çështja e rifunksionalizimit të tërësishëm të gjykatave në veri të Kosovës është vënë tashmë në listën e prioriteteve të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Herodes thotë se kontaktet e vazhdueshme me Prishtinën dhe Beogradin zyrtar janë një përpjekje e mekanizmit evropian për të rifunksionalizuar në tërësi gjykatat në veri.

Megjithatë, ende nuk mund të flitet për ndonjë rezultat konkret në lidhje me këtë temë, e cila figuronte në agjendën e diskutimeve të takimit të parë në mes të zyrtarëve të komponentës së drejtësisë në EULEX dhe atyre të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, i cili u mbajt në Beograd në fillim të këtij muaji.

“Çështja e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë është shumë e komplikuar dhe në të janë të përfshira shumë palë. Diskutimet po vazhdojnë dhe në to janë të përfshira edhe Prishtina edhe Beogradi”,
thotë Herodes.

Ndërkohë, përfaqësuesit e gjykatave në veri të Kosovës vlerësojnë se vendosja e misionarëve evropianë në këto institucione në pranverën e këtij viti, ndonëse ka thyer bllokadën ligjore, nuk ka mundur ta evitojë në tërësi, siç thuhet, vakuumin ligjor në këtë pjesë të vendit.

Aktualisht, në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës janë të angazhuar katër gjykatës, dy prokurorë, dy këshilltarë ligjorë të gjykatave dhe dy këshilltarë ligjorë prokurorialë - që të gjithë të mandatuar nga misioni EULEX.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, Kapllan Baruti, pret që gjatë muajve në vijim të ketë sinjale pozitive për rifunksionalizimin e tërësishëm gjykatave të veriut të Kosovës.

“Presim që së shpejti, kur them së shpejti supozoj që kjo do të jetë brenda një apo dy muajve, të kryhet kjo pjesë e punëve dhe të fillojnë kushtet reale për të filluar gjykimet e para në lëndët më sensitive - në lëndët me paraburgim, sepse ne kemi lëndë me paraburgim që janë nga viti 2007”,
shprehet Baruti.

Ai, gjithashtu, bën të ditur se i ashtuquajturi ekipi emergjent i zyrtarëve gjyqësorë të veriut që po trajton rastet emergjente, përbëhet nga 25 punëtorë të Gjykatës së Qarkut, të Prokurorisë së Qarkut, të Gjykatës Komunale, të Prokurorisë Komunale dhe të Gjyqit Komunal për Kundërvajtje në Mitrovicë.

Ky ekip, nga gjithsej 175 punëtorët që ishin dikur të angazhuar në gjykatat në veri, vepron në selinë e përkohshme në Vushtrri.

Gjykatat në veri e kishin pezulluar punën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe protestave të dhunshme të serbëve, që rezultuan me një polic ukrainas të vdekur.
XS
SM
MD
LG