Ndërlidhjet

Të gjitha misionet diplomatike të Kosovës do të konsolidohen në mënyrë të plotë deri në fund të këtij viti. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se janë duke punuar me një ritëm të shpejtë për kompletimin e stafit diplomatik dhe administrativ.


Këshilltarja për media e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri, shpjegon më shumë për punët që po bëhen në këtë drejtim:

“Ministria e Punëve të Jashtme ka përzgjedhur, përmes konkurseve të paracaktuara nga Ligji për shërbimin e jashtëm të Kosovës, rreth 50 persona, për staf diplomatik dhe konsullor, të cilët do të shërbejnë në ambasadat dhe misionet tona konsullore”.

“Ata tashmë e kanë kryer një trajnim pesë javor, ku janë njohur me mbarëvajtjen me politikën e jashtme me diplomacinë”.


Beqiri, po ashtu, bën të ditur se të përzgjedhurit që do të shërbejnë në stafet diplomatike, u janë nënshtruar trajnimeve të brendshme të MPJ-së.

“Ata, tashmë, janë me një trajnim tjetër të brendshëm, ta quaj brenda shtëpisë, duke u njohur me proceset, që nga ato teknike, e deri të proceset më të rëndësishme që kanë të bëjnë me prezantimin e politikës së jashtme në botë”, shpjegon Beqiri.

Ambasadorëve në dhjetë misionet e para u është dhënë pëlqimi më herët nga vendet përkatëse, ku janë të vendosur. Sipas zëdhënëses, Albana Beqiri, janë edhe tetë misione të reja, të cilat pritet të fillojnë punën së shpejti.

“Nuk ka një datë të caktuar, datë fikse, por ajo që mund të themi është se përpara Vitit të Ri edhe tetë ambasadat e tjera do të fillojnë punën. Po ashtu, do t’u bashkëngjiten dhjetë ambasadave të para që tashmë janë qe një vit e ca në punë, por edhe tetë të rejave do t’i bashkëngjitet edhe stafi diplomatik”, thotë Beqiri.

Qeveria e Kosovës, kohë më parë, kishte deklaruar se nuk do të nxitojë në këtë proces. Por, përfaqësues të partive opozitare konsiderojnë se institucionet e vendit janë vonuar sa i takon kompletimit të misioneve diplomatike

Zylfie Hundozi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime, thotë se moskompletimi i stafeve diplomatike ka ndikuar edhe në njohjet e shtetësisë së Kosovës.

“Në përgjithësi, institucionet tona kanë çaluar sa i përket formimit të përfaqësive diplomatike nëpër vendet e Evropës, por edhe në tërë botën, gjë që na ka kushtuar shtrenjtë sa i përket njohjeve të reja të Kosovës”,
shprehet Hundozi.

Sidoqoftë, përcaktimin final për 18 ambasadorët e parë të Kosovës, e bën presidenti i vendit.

Vitin e kaluar Kosova ka hapur ambasadat e saj në Uashington, Londër, Paris, Berlin, Bruksel, Romë, Vjenë, Bern dhe Tiranë.

Kurse, sivjet pritet të hapë ambasada të tjera. Krahas konsolidimit të ambasadave me staf, Qeveria ka menduar edhe për blerjen e objekteve ku do të vendosen ambasadat.

Për këtë, Ministria e Jashtme ka një fond prej 10 milionë eurosh, për blerjen e katër objekteve të para, për të cilat ka vendosur Qeveria.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG