Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni, Greqi: Inkurajim dhe kritika


Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski dhe homologu i tij grek, Jorgos Papandreu

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski dhe homologu i tij grek, Jorgos Papandreu

Një ditë pas takimit sy më sy midis kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, dhe atij grek, Jorgos Papandreu, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, partner i koalicionit qeveritar, inkurajoi palët që të vazhdojnë me bisedime. Ndërkaq, përfaqësues nga opozita kërkojnë më shumë detaje nga ky takim.



Pas takimit midis kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe kryetarit të Qeverisë greke, Jorgos Papandreu, në të cilin nuk u arrit përparim, por u tha që dialogu midis dy vendeve të vazhdojë me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përshëndeti takimin dhe inkurajoi palët që të vazhdojnë me bisedime deri në zgjidhjen e çështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës.

“BDI-ja inkurajon të gjitha autoritetet në vend, por edhe ato jashtë vendit që sa më parë të gjendet një zgjidhje e pranueshme edhe për Republikën e Maqedonisë, edhe për Greqinë”.

“Ne duam të jemi korrektë dhe të dobishëm, të inkurajojmë palët që sa më parë të mbyllet kjo histori”,
tha Ahmeti.

Opozita në reagimet e para kërkoi nga kryeministri Gruevski që të informojë se çfarë konkretisht ka biseduar.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Socialdemokrate e opozitës, Andrej Petrov, deklaroi se partia e tij e inkurajon kryeministrin Gruevski që të bëjë hapin më të mirë për Maqedoninë, me qëllim që Maqedonia të ecë përpara në integrimet evropiane.

“Pas asaj që kryeministri grek, Jorgos Papandreu, e deklaroi, ai vendosi afate kohore. Domethënë për diçka konkrete është biseduar, por për këtë duhet të na njoftojë Gruevski”,
theksoi Petrov.

Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, u shpreh se takimi Gruevski-Papandreu zhgënjeu popullatën, e cila pret që çështja e emrit të shkojë drejt zgjidhjes.

“Pozicionet e betonuara aspak nuk janë në favor të negociatave të ardhshme dhe besoj se dëshpërimi pas këtij takimi, është shumë i madh te qytetarët tanë”.

“Kjo çështje urgjentisht duhet të zgjidhet dhe puna e parë që duhet të bëjë kryeministri, është që t’i thërrasë kryetarët e partive politike, të hartojmë një kornizë të negociatave dhe të aprovojmë një qëndrim zyrtarë të shtetit tonë që ky të jetë pozicioni i avancuar yni dhe të vazhdojnë negociatat”.

“Mendoj se tërheqja nga pozicioni i formulës së dyfishtë para takimit të dhjetorit të ministrave, do të ishte një hap pozitiv i politikës së Maqedonisë”,
u shpreh Selmani.

Pas takimit dypalësh në rajonin grek, Prespë, i dyti për më pak se një muaj, Gruevski konstatoi se nuk ka progres dhe ndryshim në pozitat rreth emrit.

“Edhe një herë m’u kumtua se Greqia mbetet në pozitat që i prezantoi negocuesi i tyre në Nju-Jork, si për emrin, ashtu edhe për identitetin. Dhe, në këtë aspekt, mund të them se ne kemi njëfarë përparimi”.

“Do të vazhdojmë me bisedime, do të bisedojmë, ndërsa negocuesit do të vazhdojnë me dialogun e tyre në Nju-Jork. Kërkova nga Papandreu edhe një herë të mendojnë për atë që duhet të ndodhë në dhjetor, respektivisht të mos i vënë bllokadë Maqedonisë dhe marrje të datës për fillimin e negociatave”,
deklaroi Gruevski.

Takimi Gruevski - Papandreu ishte një përpjekje e re për të rinisur dialogun para takimit që Këshilli i Bashkimit Evropian pritet të zhvillojë më 10 dhe 11 dhjetor.

Në këtë takim pritet që Maqedonisë t’i rekomandohet fillimi i negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG