Ndërlidhjet

logo-print

“Nën urdhrat e SHIK-ut kam marrë pjesë në 17 aksione për vrasje, plagosje, rrahje e shantazhim. Eprori im ka qenë Azem Syla”, ka thënë Bllaca, personi i përfolur se ka marrë pjesë në krime politike.




Nazim Bllaca, nga Ribari i Madh, ka deklaruar të dielën në Prishtinë, para mediave, se “nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në 17 aksione” të, siç ka thënë, “vrasjes, plagosjes, rrahjes e shantazhit të personave të caktuar, të parë si kolaboracionistë të Serbisë, apo si rivalë politikë”.

Kjo paraqitje e Bllacës vjen tri ditë pasi që deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, inicioi akuza të ashpra për përfshirje në krime politike ndaj disa deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Bllaca e ka përmendur emrin e atyre nga të cilët ka marrë urdhra.

Epror kryesor në SHIK e kam pasur Azem Sylën. Bëhet fjalë për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj. Është vështirë me ardhë këtu para parlamentit edhe me thënë si dëshmitar, mirëpo boll ka shkuar me ata dëshmitarët e fshehtë. Unë jam penduar për punën që është bërë nga 12 qershori i vitit 1999”, ka thënë Bllaca, duke mos përmendur emrin e personit që thotë ta ketë vrarë.

Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të kontaktojë me Azem Sylën për të dëgjuar versionin e tij në lidhje me ketë çështje.

Ndryshe, para paraqitjes së Bllacës, deputetët Adem Salihaj dhe Gani Geci u shpërndanë gazetarëve një CD, që përmban material të dëshmisë së Bllacës.

Nazim Bllaca tha se krimet janë kryer pas periudhës së luftës. Ai aty përmendi se për aksionet e kryera ka marrë urdhra nga, siç tha ai, "pjesëtarë të SHIK-ut, që gjenden në strukturat udhëheqëse të Partisë Demokratike të Kosovës".

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, hodhi poshtë këto akuza dhe ftoi drejtësinë që të merret me rastin në fjalë.

“Akuzat e tilla jo vetëm tash, por edhe më herët, edhe të formave të tjera që i janë adresuar subjektit tonë, i konsiderojmë si një tendencë për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik dhe ne konsiderojmë se këto bëjnë dëm dhe u hedhin hije të keqe në përgjithësi zhvillimeve në Kosovë”, tha Stavileci.

Deputeti Adem Salihaj tha se materialin e kanë pasur më shumë se një muaj më parë, duke hedhur poshtë pretendimet se i njëjti po përdoret për të pasur ndikim në fushatën zgjedhore.

“Për çështje të fushatës nuk lidhet kjo, ne e kemi pasur më herët dhe kemi mundur ta dëmtojmë secilën parti politike në lidhje me këtë. S’e kemi shfrytëzuar. Tash është kryer ajo pjesa kryesore e fushatës dhe ne duhet ta gjejmë momentin”, tha Salihaj.

Në anën tjetër, megjithëse ka pranuar se ka kryer vrasje, Bllaca ka shëtitur lirshëm në Prishtinë. Policia e Kosovës nuk ka marrë ndonjë urdhër arresti për personin në fjalë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, shpjegoi:

“Pala, të gjitha informacionet, dëshmitë i ka ofruar në Policinë dhe Prokurorinë e EULEX-it. Policia i ka filluar hetimet e saj. Policia është në kontakte me prokurorinë dhe janë organet e drejtësisë ato që vendosin a të lëshojnë ndonjë urdhër-arrest dhe atëherë policia e zbaton atë”, tha Kelani.

Ndërsa, zyrtarë të EULEX-it pranojnë se janë duke hetuar rastin. Përfaqësues të Zyrës për informim të EULEX-it i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk mund të komentojnë mbi rastin, ndërsa ai është duke u hetuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG