Ndërlidhjet

logo-print

Pesëdhjeteshtatë për qind e votuesve zviceranë kanë votuar pro ndalimit të ndërtimit të minareve. Gjatë paradites së 29 nëntorit, banorët e Zvicrës kanë votuar në referendumin e iniciuar nga Partia Popullore e djathtë, që kërkonte moslejimin e minareve në këtë vend.

Partia Popullore pretendon se minaret janë pjesë e një strategjie për ta islamizuar Zvicrën. Konfederata Helvetike ka rreth 400 mijë myslimanë dhe ka aktualisht katër xhami me minare, që do të mbeten edhe pas referendumit.

Votimi u zhvillua pasi Partia Popullore mlodhi 100 mijë firma, çfarë lejon dërgimin e çështjes për votim me referendum. Pjesëmarrja në referendum ishte 55%. Qeveria zvicerane, tha se respekton vendimin e votuesve.

“Propozimi është miratuar nga shumica e votuesve zvicerane dhe shumica e kantoneve”, bën të ditur qeveria në Bernë.

Më herët propozimi ishte cilësuar si kundërthënës nga qeveria dhe sipas qeverisë dhe parlamentit të Zvicrës ai bie ndesh me kushtetutën, të drejtën e besimit dhe të drejtat e njeriut. Sipas zyrtarëve referendumi dhe rezultati i tij mund të provokojë radikalizmin islamik në Zvicër dhe të dëmtojë imazhin e vendit në botë.

Ndërkaq përkrahësit e referendumit kanë kërkuar që përmes ndalimit të minareve të ndalohej islami politik. Politikani i Partisë Popullore, nismëtare e referendumit, Ulrih Shluer deklaroi për Swissinfo se minaret simbolizojnë pretendimin e religjionit politik për të ardhur në fuqi.

Ne nuk e ndalojmë islamin, ne ndalojmë simbolet politike të islamizimit dhe këto janë minaretë. Minaretë nuk kanë asgjë të bëjnë me besimin fetar. Minaretë janë simbole të fitores politike të islamit. Gjëja e parë që bën turqit kur morën Konstandinopojën ishte ndërtimi i minareve në krye të kishave kryesore”, thotë Shluer.

Amnesty International ka tërhequr vërejtjen se ndalimi i ndërtimit të minareve do të shkelë detyrimet që ka Zvicra për te respektuar lirinë e shprehjes së besimeve fetare.

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se rezultatet e referendumit tregojnë për një ndarje mes kantoneve. Kështu kantoni gjermanofon i Lucernës e ka miratuar iniciativën, kurse kantonet frëngjishtfolëse të Gjenevës dhe Vo kanë votuar kundër.

Këtë frymë e transmeton dhe një votues në Gjenevë, i cili ka folur për agjencinë Reuters.

“Jam i tronditur nga kjo iniciativë. Në këtë mënyrë dhe ju kam treguar cili është pozicioni im. Jam kundër kësaj nisme pasi besoj se është jotolerante.”

Tensionet para votimit ishin rritur pasi kjo çështje lidhet me probleme të tjera të ndjeshme, mes të cilave dhe me imigrimin. (I.B.)
XS
SM
MD
LG