Ndërlidhjet

Medvedev: Të zhbëhet NATO-ja

  • RFE /RL

Dmitri Medvedev

Dmitri Medvedev

Kremlini kërkon një pakt të ri sigurie, i cili, sipas tij, është i nevojshëm për të tejkaluar marrëveshjet e mbetura që nga koha e Luftës së Ftohtë. Mirëpo, Perëndimi e ka injoruar propozimin rus.



Moska ka publikuar propozimin për një marrëveshje të re sigurie. Pakti i ri, sipas Kremlinit, do të zëvendësojë institucione të vjetëruara si NATO-ja dhe OSBE-ja.

Teksti i propozimit, i publikuar në faqen e internetit të presidentit rus, del në dritë gati një vit pasi Dimitri Medvedev për herë të parë e ngriti këtë çështje publikisht.

Duke folur në Berlin, në qershor të vitit 2008, Medvedevi deklaroi se ka ardhur koha për një pakt të ri sigurie, i cili është i nevojshëm për të tejkaluar marrëveshjet e mbetura që nga koha e Luftës së Ftohtë.

“Jam i bindur se problemet e Evropës nuk do të zgjidhen derisa të krijohet uniteti dhe një tërësi organike e të gjitha pjesëve të Evropës, përfshirë Rusinë”, tha atë kohë Medvedev.

Shefi i Kremlinit i ka quajtur Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Rusinë si “tri shtyllat e civilizimit evropian”.

Por, vendet perëndimore e kanë injoruar deri tani propozimin në fjalë. Analistët mendojnë se propozimi i Kremlinit është jorealist dhe ka qëllim parësor rritjen e rolit të Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke lënë në hije struktura si NATO-ja dhe OSBE-ja.

Gjatë fjalimit të tij në Berlin, Medvedevi sulmoi NATO-n, duke thënë se Aleanca “është e paaftë të gjejë një mision të ri për ekzistencën e saj”, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

“Sot, NATO-ja po përpiqet të gjejë misionin e vet duke globalizuar misionin, përfshirë këtu zgjerimin gati në kufijtë e Kombeve të Bashkuara. Është e qartë se në këtë mënyrë nuk mund të zgjidhen detyrat që ka në dorë”, tha Medvedev.

Në deklaratën e vendosur në faqen e internetit të Kremlinit, e cila shoqëronte propozimin për strukturën e re të sigurisë në botë, Moska zyrtare theksonte se kjo strategji e re do të ngrihet mbi parimin se “asnjë vend apo organizëm nuk mund të forcojë sigurinë e vet në kurriz të vendeve apo organizatave të tjera”.

Propozimi rus i bënte thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbante “përgjegjësitë kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale”. Këtu ia vlen të kujtohet se Rusia është një nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, që ka të drejtë vetoje.

I pyetur për propozimin rus, shefi i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se Aleanca do t’i përgjigjej planit të Kremlinit.

Marrëdhëniet Rusi-Perëndim u përkeqësuan në nivelin e Luftës së Ftohtë pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Gjeorgji, në gushtin e vitit 2008.

Analistët nuk besojnë se propozimi rus synon përmirësimin e marrëdhënieve, përkundrazi.

Analisti Andrei Piontkovski e quan ofertën ruse si “deklaratë boshe”.

“Është një lloj ushtrimi propogandistik sipas traditës së vjetër të nismave sovjetike të paqes. Nuk mendoj se Moska beson se një dokument i tillë do të nënshkruhet”, thotë Piontkovski.

Ai shton se dokumenti i Krmelinit ofron vetëm premtime të paqarta për vendet që të jenë miqësore. Dokumenti, madje as nuk flet se cilat vende mund të jenë nënshkruese, por aty përmendet se çdo vend ka të drejtë ta shohë si sulm ndaj tij çdo sulm të armatosur ndaj ndonjë vendi tjetër anëtar.

Por, në dallim nga artikulli 5 i NATO-s, propozimi rus nuk i detyron vendet që do nënshkruanin dokumentitn, për një hap të tillë.

Përveç ndonjë përgjigje për hir të mirësjelljes, Piontkovski nuk beson se propozimi rus do të marrë ndonjë përgjigje nga vendet perëndimore.(I.B)
XS
SM
MD
LG