Ndërlidhjet

logo-print

EULEX-i arrestoi Bllacën


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Nën akuzat për një vrasje dhe përfshirje në krim të organizuar, EULEX-i, të hënën në mbrëmje, ka arrestuar Nazim Bllacën, i cili, një ditë më parë, ka deklaruar se “nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në vrasje e krime tjera”.



EULEX-i ka arrestuar Nazim Bllacën, i cili, një ditë më parë, deklaroi se “nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në 17 aksione të vrasjes, plagosjes, rrahjeve e shantazhit”.

Prokurorët e EULEX-it, pas marrjes së Nazim Bllacës në pyetje, kanë urdhëruar arrestimin e tij “nën akuzat për një vrasje dhe krim të organizuar”.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Ai tha se prokurorët e prokurorisë speciale do të kërkojnë nga gjykatësit që Bllacës t’i shqiptohet masa e paraburgimit prej një muaji.

* * * * * * * * * *

Misioni evropian për sundimin e ligjit ka konfirmuar se po merr në pyetje Nazim Bllacën, i cili dje deklaroi se “nën urdhrat e SHIK-ut, ka marrë pjesë në 17 aksione të vrasjes, plagosjes, rrahjeve e shantazhit”.

Lajmi u konfirmua nga vetë kreu i EULEX-it, Iv de Kermabo, pas një takimi me kryeministrin Hashim Thaçi, takim ky që në fokus ka pasur zhvillimet rreth dëshmive të Bllacës.

“Pasditen e sotme, personi është ftuar nga prokurorët e EULEX-it që të merret në pyetje. Intervistimi po vazhdon”.

“Ne jemi në kontakt me institucionet e Kosovës dhe kemi përfshirë drejtësinë kosovare në këtë proces”,
tha Kermabo, i cili potencoi se në takimet me autoritetet kosovare e ndërkombëtare është bërë e qartë se rendi e ligji do të funksionojnë dhe se nuk do të lejohen ndërhyrjet politike në këtë fushë.

Paraqitja publike e Bllacës në qendër të Prishtinës u bë tri ditë pasi që deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, inicioi akuza të ashpra për përfshirje në krime politike ndaj disa deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Këto zhvillime kanë bërë që gjatë ditës së sotme të mbahen takime të nivelit të lartë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, për të diskutuar ato që i ka cilësuar “rrethana të reja me elemente të cenimit të rendit kushtetues dhe të sigurisë nacionale”, ka mbajtur takime me presidentin Sejdiu, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ka vazhduar me takimet me autoritetet e EULEX-it, me ambasadoret e Kuintit dhe ka rimbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Është konkludim i përbashkët se do të ketë veprime unike të respektimit të plotë të ligjit, të pamotivuara e të ndikuara politikisht, me transparencë të plotë në interes të rendit, stabilitetit dhe perspektives së ndërtimit të shtetit demokratik”, tha Thaçi në një konferencë të përbashkët me shefin e EULEX-it.

Kryeministri nuk përjashtoi hetimet edhe ndaj deputetëve apo njerëzve brenda qeverisë, të apostrofuar në dëshminë e Bllacës, si të përfshirë në krimet politike.

”Këtu nuk do të ketë të ndalur, përkundrazi do të jemi shumë të vendosur dhe çdo rrethanë e ngritur do të sqarohet deri në fund dhe as akuzuesit, as të akuzuarit nuk mund t’u ikin përgjegjësive. Askush nuk është mbi ligjin. Gjithçka do të bazohet mbi të vërtetën, të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, theksoi Thaçi.

Më herët, ndaj paraqitjes publike të Bllacës ka reaguar presidenti i Kosovës. Në një komunikatë për media, presidenti Sejdiu ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë “që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për t’i ndriçuar të gjitha krimet e bëra në Kosovë dhe për dënimin e autorëve të tyre”.

Ndërkaq, organet kosovare të rendit kanë bërë të ditur se nuk kanë mundur ta arrestojnë Bllacën, edhe pse ka pranuar publikisht se ka bërë vrasje, për shkak se nuk kanë pasur urdhër nga prokuroria speciale, e cila po merret me rastin.

Ndihmësdrejtori i Policisë për Shtyllën e Krimeve, Kadri Arifi, tha se dëshmitari ka më shumë se një muaj që është subjekt hetimi nga organet e EULEX-it.

“Policia nuk ka autoritet që të marrë vendime mbi autorizimet e prokurorisë. Policia e Kosovës nuk është përjashtuar nga ky rast, por ka marrë pjesë aq sa është kërkuar nga prokuroria speciale. Ne kemi bërë sigurimin e personit, shtëpisë dhe familjes së tij. Që të qartësohet rasti ka qenë kompetencë e prokurorisë speciale dhe komponentit ekzekutiv të policisë së EULEX-it”, tha Arifi.

Ndërkohë, Azem Syla, nga i cili Bllaca ka thënë se ka marrë urdhra për të vrarë, i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk e njeh fare Nazim Bllacën.

Ai, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, i quajti shpifje dhe gënjeshtra akuzat e tilla dhe tha se do të ngrejë padi në organet e drejtësisë.

Syla mohoi të jetë pjesë e strukturave të SHIK-ut, siç ka deklaruar Bllaca.

“As nuk kam qenë e as nuk jam pjesë e strukturave të SHIK-ut. Ndërsa, sa u përket deklaratave, jo urdhra, as s’e kam njohur e as nuk e njoh (Nazim Bllacën v.j.). Por, unë do t’i denoncoj shpifjet e tij. Tash jam në konsultim, ta gjej një avokat”, tha Syla.

Por, njeriu që beson në vërtetësinë e deklaratave të Nazim Bllacës është deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Adem Salihaj.

Ai, në një paraqitje para medieve, kërkoi nga Lidhja Demokratike e Kosovës që të rishikojë pozicionin e saj në koalicionin qeverisës, duke akuzuar direkt SHIK-un se, siç tha ai, pas luftës ka vrarë politikanë të kësaj partie.

“E dimë se shumë personalitete të njohura të LDK-së janë vrarë nga krimi i organizuar. Unë po përmend edhe një herë Xhemajl Mustafën, Enver Malokun, Ukë Bytyçin, Smajl Hajdarajn...”.

“Duke marrë parasysh se edhe vetë presidenti Rugova ishte në listën për likuidim dhe ajo listë ishte bërë moti publike, atëherë unë i bëj apel publik LDK-së që ta shqyrtojë pozicionin e saj në qeveri”, tha Salihaj.

Bllaca, në dëshminë e tij, ka thënë se nuk ka marrë pjesë në vrasjen e këtyre personaliteteve. Por, Salihaj tha se këto figura janë vrarë nga ekipe të tjera të SHIK-ut, pa dhënë detaje mbi këto ekipe.

Vetë LDK-ja, përmes një komunikate për media, ka kërkuar nga organet e ndjekjes dhe të gjyqësisë që të bëjnë punën e tyre sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, duke e vënë në funksion zbatimin e tyre të plotë ndaj çdokujt.

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush nuk mund të ketë imunitet të jashtëligjshëm”, thuhet në komunikatën për media.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG