Ndërlidhjet

logo-print

Pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, institucionet e Kosovës janë të gatshme të aplikojnë edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kështu thonë zyrtarë qeveritarë, për të shtuar se Qeveria e Kosovës pret vetëm ftesën nga kjo bankë që të aplikojë.


Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është institucioni financiar i radhës, pas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku Kosova synon të bëhet anëtare.

Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se po punohet për këtë çështje, por nuk dëshiron të përmendë ndonjë periudhë kohore se kur Kosova mund të pranohet në këtë institucion.

Që ky proces të realizohet në mënyrë të suksesshme, Shala pohon se institucionet kosovare janë duke bashkëpunuar me të gjitha strukturat ndërkombëtare, duke përfshirë Komisionin Evropian, por edhe miqtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk mund të jemi ne ata, të cilët përcaktojnë datën e anëtarësimit. Sigurisht që do të jetë një procedurë, konsideroj e koordinuar mirë, po aq sa edhe anëtarësimet deri më tani. Besoj se Kosova do të jetë anëtare e këtij institucioni në periudhën më të shpejtë të mundshme”, shpreh bindjen Shala.

Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se institucionet vendore janë vonuar për të aplikuar në këtë bankë. Skënder Berisha, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik, thotë se Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk ka treguar interesim për këtë çështje.

“Sa i përket Ballkanit perëndimor, ku është edhe Kosova, ende nuk është anëtarësuar në këtë bankë, sepse nuk kemi treguar ndonjë interesim dhe nuk e kemi plotësuar aplikacionin për anëtarësim, për shkak të neglizhencës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Bankës Qendrore të Kosovës”, thotë Berisha.

Por, ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala, thotë se me gjithë gatishmërinë e qeverisë, anëtarësimi në këtë bankë nuk varet nga institucionet kosovare.

“Në momentin kur piqen kushtet, Banka Evropiane do të na dërgojë ftesën për të bërë aplikacionin dhe në atë moment ne do ta bëjmë”, thekson Shala.

Ministri Shala përmend edhe përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në këtë mekanizëm.

“Sigurisht që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do t’i financojë projektet e institucioneve publike”.

“Qëllimi jonë është se, duke qenë anëtar i kësaj banke, ne mund të financojmë edhe projektet e interesit publik, qofshin ato të nivelit komunal, të nivelit qendror apo rajonal“,
thotë Shala.

Përveç përfitimeve ekonomike pas anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Skënder Berisha thotë se vendi do të përfitojë edhe në aspektin politik.

“Anëtarësimi në këtë bankë, Kosovës ia shpejton procesin e anëtarësimit në Unionin Evropian”, thekson Berisha.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat.

Pavarësisht faktit se Kosova nuk është anëtare e këtij institucioni, vite më parë, Misioni i Kombeve të Bashkuara ka arritur një marrëveshje me këtë bankë për mbështetje financiare dhe hua për Kosovën.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG