Ndërlidhjet


Dita ndërkombëtare kundër HIV/AIDS-it, Kosovën e gjen me një rast të ri, të infektuar me këtë virus vdekjeprurës. Kështu thotë njëri nga përfaqësuesit e organizatës “Personat që jetojnë me HIV”, i cili gjithashtu është i prekur nga ky virus dhe dëshiron të ngelet anonim.

“Kjo kategori e shoqërisë nuk është e kënaqur me kujdesin e institucioneve, sepse nuk e bëjnë sigurimin e vazhdueshëm të terapisë. Gjithashtu, analizat nuk kanë hyrë si procedurë e rregullt për monitorimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve”, thotë ai.

Ndryshe, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, që nga rasti i parë i shfaqur i kësaj sëmundjeje në Kosovë, në vitin 1986, deri më tash janë identifikuar 75 persona të infektuar me virusin HIV.

Infektologu Ilir Tolaj thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për luftën kundër AIDS–it, duke u koncentruar në të gjitha shtresat e Kosovës, e në veçanti te të rinjtë.

Sipas tij, angazhimet e deritashme rreth HIV/AIDS-it nuk kanë qenë të mjaftueshme, duke pasur parasysh nevojat e kategorisë së njerëzve të infektuar, të cilat, siç thotë ai, gjithmonë ndryshojnë dhe nxjerrin në pah probleme të reja.

Një herë kemi pasur problem në zbulimin e këtij virusi, mandej trajtimin dhe tani efektet anësore të këtij trajtimi të gjatë”.

“Sa i përket aspektit të parandalimit, kemi një vend jashtëzakonisht të madh për të punuar më shumë institucionet shëndetësore, Instituti i Shëndetit Publik, në mënyrë që të ngrihet vetëdija e popullatës në përgjithësi, për të njohur mënyrat e infektimit dhe për t’i parandaluar ato rrugë që bartin këtë infeksion”,
thotë Tolaj.

Ndërsa, menaxherja e projektit të Fondit Global për HIV/AIDS në Kosovë, Edona Deva, vlerëson se puna e kësaj organizate, sa i përket HIV/AIDS-it, është e kënaqshme.

“Projekti i fundit global në Kosovë ka kënaqësinë që në ditën ndërkombëtare të HIV/AIDS-it të lansojë planin strategjik si kontribuues direkt, duke theksuar se qysh para lansimit ka filluar plani strategjik përmes fondeve të Fondit Global dhe mbështet të gjitha përpjekjet në nivel të Kosovës për një përgjigje efektive ndaj HIV/AIDS-it”, thotë Deva.

Ndërkaq, sipas Skënder Sylës, zyrtar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, të gjithë personat e infektuar me virusin HIV duhet të trajtohen si pjesëtarë të barabartë të shoqërisë.

“OBSH-ja, si në nivelin global, ashtu edhe në vend, ka për mesazh të drejtën për të jetuar. Të gjithë personat me HIV duhet të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë. Të gjithë të rinjtë në botë t’i kushtojnë një vëmendje shëndetit të tyre dhe të parandalojnë infeksionin që mund të jetë fatal për ta”, shprehet Syla.

Në anën tjetër, Nexhmedin Loku, udhëheqës i organizatës joqeveritare ”PEN”, thekson se puna e kësaj organizate ka për qëllim parandalimin e virusit HIV, si dhe vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me rrezikun e bartjes së këtij virusi.

Dyshohet se është numri shumë më i madh, sepse testimi është vullnetar, për shkak të stigmatizimit ndaj shoqërisë. Mirëpo, organizata jonë fokusohet më shumë në edukimin shëndetësor dhe në shkaktarin e HIV/AIDS-it”.

“E gjithë popullata është e rrezikuar, por ne jemi të fokusuar te moshat e reja, për shkak të informimit të të rinjve se si të mbrohen nga ky virus. Ne luftojmë për parandalimin, ne fokusohemi në sensibilizimin, duke u mbështetur nga disa parime të OBSH-së”,
thekson Loku.

Sidoqoftë, Fondi Global për HIV në Kosovë, këtë vit, ka shpenzuar rreth 7 milionë dollarë për parandalimin e virusit HIV dhe trajtimin e personave të infektuar me të.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG