Ndërlidhjet

logo-print

Dubai, makth për ekonominë botërore

  • RFE /RL

Dubai

Dubai

Dubai World është një kompani jashtëzakonisht e madhe e drejtuar nga shteti. Kjo kompani është në pjesën më të madhe përgjegjëse për transformimin e shkretëtirës së emiratit të vogël në një park të madh për super të pasurit.

Kompania në fjalë shkaktoi tronditje të mëdha kur, javën e kaluar, kërkoi nga kreditorët që të shtynte pagesat e miliarda dollarëve borxhe. Kompania iu detyrohet investitorëve në një vlerë prej 59 miliardë dollarësh.

Kërkesa e Dubai World-it shkaktoi nervozizëm të menjëhershëm në rrethet më të larta të financave botërore dhe u rrit droja se kjo mund të shkaktonte efekt domino në ekonominë globale.

Momenti më i keq për krizën e Dubait erdhi në fillim-javë, kur Qeveria e Emirateve tha se nuk do të shërbente si garantues për kompaninë.

Por, tensionet filluan të binin kur, mesnatën mes së hënës dhe së martës, Dubai World bëri publike se është në bisedime me bankat kreditore për të ristrukturuar 26 miliardë dollarë të kredive. Kjo është dëshmi se kompania e ka ende nën kontroll situatën dhe mund t’ia dalë mbanë.

A do të thotë kjo se më e keqja është lënë pas? Ekspertët nuk i japin përgjigje shumë optimiste kësaj pyetjeje.

Sipas tyre, horizonti i financave globale është ende i zymtë, për shkak të borxheve të mëdha të qeverive apo korporatave.

“Tregjet financiare janë të shqetësuara rreth vlerës së kredive të qeverive. Kjo bëhet më shqetësuese duke pasur parasysh koston e paketave financiare që qeveritë dhanë për bankat, si dhe ndikimin që këto paketa kanë te buxhetet dhe rritja ekonomike”.

“Tregjet financiare janë të shqetësuara për shfaqjen e rasteve si ai i Dubait, ku hasim me probleme që lidhen me mundësitë e pagesës së interesit”,
thotë për Radion Evropa e Lirë, Nil MekKinon, ekspert i financave globale.

Korporatat po përballen dhe me një mal borxhesh, të cilat duhet të paguhen këtë vit apo vitin e ardhshëm. Vlera e pagesave më të afërme për korporatat shkon në 200 miliardë dollarë.

Pjesa më e madhe e kompanive që duhet të paguajnë, janë në Rusi dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Eksperti MekKinon tërheq vërejtjen se ka dhe shqetësime të tjera që mund të dalin në sipërfaqe lidhur me tregun financiar.

Problem paraqet fakti se nuk është vetëm Dubai. Ka shqetësime të ngjashme për disa vende evropiane. Greqia është në krye të listës së vendeve me probleme, duke pasur parasysh përkeqësimin e deficitit buxhetor”.

“Ka shqetësime edhe për vendet si Irlanda, Spanja apo Britania e Madhe. Kjo e fundit, për momentin, ka një pozitë fiskale të palakmueshme, ashtu si dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo mund të kthehet në një problem global, që mund të godasë veçanërisht vendet e prekura më së shumti nga kriza e kredive”,
sqaron MekKinon.

Ndonëse tregjet globale e kanë marrë veten nga frika që shkaktoi kriza në Dubai, bursat e rajonit vazhdojnë të mbeten në kuota të ulëta. (I.B.)
XS
SM
MD
LG