Ndërlidhjet

Arrest shtëpiak për Nazim Bllacën


Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Gjykatësi i EULEX-it, Françesko Flori, i ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh Nazim Bllacës, i cili nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale akuzohet për një vrasje dhe për përfshirje në krim të organizuar.

Bllaca, i cili ka deklaruar të dielën se “nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në 17 aksione të vrasjeve, plagosjeve, rrahjes e shantazhit”, është paraqitur të martën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Përfaqësuesi ligjor sipas detyrës zyrtare, Haxhi Millaku, ka konfirmuar lajmin për masën e arrestit shtëpiak.

“Ne morëm vendimin për Bllacën. Gjyqtari i EULEX-it ka vendosur që Nazim Bllacës t’i caktojë masën e arrestit shtëpiak në fshatin e tij në Ribar të Madh, Komuna e Lipjanit, dhe kjo masë do të zgjasë 30 ditë. Hetimet do t’i zhvillojë prokurori ndërkombëtar”, ka thënë Millaku.

Bllaca është arrestuar të hënën në mbrëmje nga policia e EULEX-it, pasi është marrë në pyetje nga një prokuror i këtij misioni.

Avokati Haxhi Millaku ka thënë se me gjithë akuzat që rëndojnë mbi të pandehurin, masa e shqiptuar sot nga gjykatësi do të ketë efekt ligjor.

“Mendoj se efektet ligjore mund të arrihen edhe me një masë të arrestit shtëpiak, meqenëse atë janë duke e siguruar policia e EULEX-it dhe policia jonë, prandaj kjo masë mund të arrihet edhe me arrest shtëpiak, pranë familjes së tij”, ka thënë Millaku, i cili ka kërkuar që të të pandehurit fillimisht t’i bëhet një ekzaminim mjekësor.

Nazim Bllaca, të dielën, është shfaqur publikisht në Prishtinë, ku ka deklaruar se “nën urdhrat e SHIK-ut ka kryer një vrasje dhe ka marrë pjesë në disa aktivitete tjera kriminale”.

Ndërsa, në një video-incizim, të shpërndarë nga dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci dhe Adem Salihaj, Bllaca ka inkriminuar figura të larta të SHIK-ut, disa nga tash deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Shumë nga të apostrofuarit i kanë hedhur poshtë akuzat.

Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, nuk ka thënë nëse EULEX-i do të kryejë hetime ndaj personave që në CD thuhet se kanë dhënë urdhra për të vrarë.

“Të shohim, hetimet po vazhdojnë. Nëse do të ketë diçka, do të njoftojmë”, është shprehur Herodes.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se nuk janë duke zhvilluar ndonjë hetim të mundshëm, meqë tërë lëndën po e shqyrtojnë organet e drejtësisë së misionit evropian.

“Deri më tani, e dini se tërë rastin po e hetojnë ata vetë dhe e kanë të drejtën e ekzekutivit për ta hetuar vetë”, ka theksuar Kelani.

Udhëheqësit e institucioneve kanë kërkuar që organet e drejtësisë të ndriçojnë rastin deri në fund dhe autorët t’i vënë para drejtësisë.
XS
SM
MD
LG