Ndërlidhjet

30 mijë trupa shtesë në Afganistan



Presidenti amerikan Barak Obama ka bërë publike dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan, që do të fokusohen në luftën kundër talibanëve dhe Al Kaidës.

Dërgimi i trupave shtesë do të fillojë këtë muaj dhe do të përfundojë verën e ardhshme. Ky kontigjent i ri do ta çojë në afro 100 mijë numrin e ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Afganistan.

Gjatë fjalimit në Akademinë ushtarake në Uest Point, presidenti Obama theksoi se trupat amerikane do të fillojnë të largohen nga Afganistani duke nisur nga korriku i vitit 2011. Largimi i forcave amerikane do të lidhet me përparimin që do të shënojnë forcat afgane të sigurisë.
Megjithatë Obama nuk dha ndonjë datë konkrete për përmbylljen e misionit në Afganistan.

“Këto trupa shtesë, amerikane dhe të tjera, do të na lejojnë që të përshpejtojmë procesin e dorëzimit të përgjegjësive tek forcat afgane. Njëherësh ky hap do të na mundësojë fillimin e tërheqjes nga Afganistani, duke nisur nga korriku i vitit 2011.
Ashtu si kemi vepruar në Irak, do t’i përmbushim detyrat e fazës tranzitore me përgjegjësi, duke marrë parasysh gjendjen në terren. Ne do të vazhdojmë të këshillojmë dhe ndihmojmë forcat afgane të sigurisë në mënyrë që të sigurohemi se ato do të jenë të suksesshme. Do t’i bëhet e qartë qeverisë afgane, e mbi të gjitha popullit afgan, se ata e kanë përgjegjësinë për vendin e tyre”, tha Obama.

Ai theksoi se lufta në Afganistan nuk është humbur, por shtoi se situata ka njohur kthim pas dhe mbeten një numër i konsiderueshëm sfidash. Presidenti amerikan shtoi se talibanët kanë fituar terren, kurse Al Kaida vazhdon të ketë zona të sigurta përgjatë kufirit me Pakistanin.

Gjatë fjalimit të tij, Obama ritheksoi qëllimet amerikane në Afganistan; Lufta kundër talibanëve, shkatërrimi i zonave të kontrolluara nga Al Kaida, mbrojtja e qendrave të banuara me civilë nga sulmet e ekstremistëve si dhe aftësimi i forcave afgane, që ato të marrin në duart e tyre përgjegjësitë për vendin.
Obama në paraqitjen e strategjisë së tij kërkoi nga presidenti afgan Hamid Karzai të luftojë korrupsionin dhe të përmirësojë sigurinë për qytetarët afganë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të mbështesin pa kushte qeverinë afgane.

Suksesi në Afganistan është i lidhur me betejën kundër ekstremistëve dhe mbështetjen e vazhdueshme për demokracinë dhe zhvillimin e Pakistanit, theksoi Obama.

Presidenti amerikan e bëri publike strategjinë për Afganistanin pas një rishikimi tre mujor të situatës. Ndërhyrja ushtarake në Afganistan filloi në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Mbrëmjen e së djelës Obama njoftoi për strategjinë e re shefin e Pentagonit, sekretaren e Shtetit dhe gjeneralët më të lartë amerikanë. Po atë ditë ai dha urdhërin për fillimin e zbatimit të strategjisë së re.
XS
SM
MD
LG