Ndërlidhjet

Obama: Afganistani nuk është Vietnam


Presidenti Barak Obama gjatë adresimit të tij në Akademinë Ushtarake në Uest Point, 1 dhjetor 2009.
Presidenti Barak Obama gjatë adresimit të tij në Akademinë Ushtarake në Uest Point, 1 dhjetor 2009.

Presidenti Barak Obama paraqiti strategjinë e re amerikane për Afganistanin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë 30 mijë trupa shtesë, të cilat do të fokusohen në luftën kundër talibanëve dhe Al Kaidës, si dhe do të rrisin ndihmën për Pakistanin.


Presidenti amerikan, Barak Obama, bëri publike dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan, që do të fokusohen në luftën kundër talibanëve dhe Al Kaidës.

Dërgimi i trupave shtesë do të fillojë këtë muaj dhe do të përfundojë verën e ardhshme. Ky kontingjent i ri do ta çojë në afro 100 mijë numrin e ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Afganistan.

Gjatë fjalimit në Akademinë Ushtarake në Uest Point, në Nju Jork, Obama para kadetëve tha se po vepron bazuar në interesat jetike amerikane.

“Nuk e kam marrë këtë vendim me lehtësi. E kam marrë këtë vendim pasi jam i bindur se siguria jonë është në lojë në Afganistan dhe në Pakistan”.

“Kjo është qendra e ekstremizmit të dhunshëm të Al Kaidës. Prej andej jemi sulmuar më 11 shtator dhe po prej andej po organizohen sulme të tjera edhe tani që ne flasim”,
tha Obama.

Presidenti Obama theksoi se trupat amerikane do të fillojnë të largohen nga Afganistani duke nisur nga korriku i vitit 2011.

Largimi i forcave amerikane do të lidhet me përparimin që do të shënojnë forcat afgane të sigurisë. Megjithatë, Obama nuk dha ndonjë datë konkrete për përmbylljen e misionit në Afganistan.

Këto trupa shtesë, amerikane dhe të tjera, do të na lejojnë që të përshpejtojmë procesin e dorëzimit të përgjegjësive te forcat afgane. Njëherësh, ky hap do të na mundësojë fillimin e tërheqjes nga Afganistani, duke nisur nga korriku i vitit 2011”.

“Ashtu si kemi vepruar në Irak, do t’i përmbushim detyrat e fazës tranzitore me përgjegjësi, duke marrë parasysh gjendjen në terren”.

“Ne do të vazhdojmë t’i këshillojmë dhe ndihmojmë forcat afgane të sigurisë, në mënyrë që të sigurohemi se ato do të jenë të suksesshme. Do t’i bëhet e qartë Qeverisë afgane, e mbi të gjitha popullit afgan, se ata e kanë përgjegjësinë për vendin e tyre”,
tha Obama.

Ai theksoi se lufta në Afganistan nuk është humbur, por shtoi se situata ka njohur kthim pas dhe mbeten një numër i konsiderueshëm sfidash.

Presidenti amerikan shtoi se talibanët kanë fituar terren, kurse Al Kaida vazhdon të ketë zona të sigurta përgjatë kufirit me Pakistanin.

Gjatë fjalimit të presidentit Obama.

Gjatë fjalimit të tij, Obama ritheksoi qëllimet amerikane në Afganistan: lufta kundër talibanëve, shkatërrimi i zonave të kontrolluara nga Al Kaida, mbrojtja e qendrave të banuara me civilë nga sulmet e ekstremistëve, si dhe aftësimi i forcave afgane, që ato të marrin në duart e tyre përgjegjësitë për vendin.


Obama, në paraqitjen e strategjisë së tij, kërkoi nga presidenti afgan, Hamid Karzai, të luftojë korrupsionin dhe të përmirësojë sigurinë për qytetarët afganë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme ta mbështesin pa kushte Qeverinë afgane.

“Nuk kemi interes për të pushtuar vendin tuaj. Do të mbështesim përpjekjet nga Qeveria afgane për t’ua hapur dyert atyre talibanëve që do të heqin dorë nga dhuna dhe që do t’i respektojnë të drejtat e njeriut, të bashkëqytetarëve të tyre”.

“Ne do të kërkojmë të vendosim partneritetin me Afganistanin bazuar në respektin reciprok”,
tha presidenti amerikan.

Suksesi në Afganistan është i lidhur me betejën kundër ekstremistëve dhe mbështetjen e vazhdueshme për demokracinë dhe zhvillimin e Pakistanit, theksoi Obama.

Ai përsëriti angazhimin amerikan për të ndihmuar Islamabadin si nga pikëpamja ushtarake edhe ajo ekonomike.

Presidenti amerikan e bëri publike strategjinë për Afganistanin pas një rishikimi tremujor të situatës.

Ndërhyrja ushtarake në Afganistan filloi në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Mbrëmjen e së dielës, Obama njoftoi për strategjinë e re shefin e Pentagonit, sekretaren e Shtetit dhe gjeneralët më të lartë amerikanë. Po atë ditë, ai dha urdhrin për fillimin e zbatimit të strategjisë së re.

I ndërgjegjshëm se strategjia e tij do të marrë kritika si nga e majta dhe nga e djathta, Obama hodhi poshtë qëndrimet e atyre që e kanë krahasuar Afganistanin si versionin e shekullit XXI të luftës në Vietnam.

Obama kujtoi se lufta në Afganistan po bëhet nga 43 shtete së bashku.

Majkëll Rubin, nga Instituti konservator, Enterprise, në Uashington, mirëpriti vendimin për trupa shtesë, por kritikoi faktin se amerikanët duhet të tërhiqen kaq shpejt.

“Presidenti Obama tha se trupat amerikane do të tërhiqen në vitin 2011. Ai ndoshta mendon se kjo është gjëja e duhur për t’u thënë, por dua të kujtoj se, në një rast të tillë, të gjitha vendet fqinje të Afganistanit do të fillojnë të mendojnë si ta mbushin vakuumin që do të krijohet nga largimi i amerikanëve”.

“Në vend që të krijojmë stabilitet në Afganistan, i trembem faktit se do të bëjmë të kundërtën”,
tha Rubin.

Një tjetër eksperte, Marina Otauej, nga Instituti Karnegi në Uashington, tha se shtimi i trupave nuk është garanci për sukses në një vend fisnor si Afganistani.

“Mendoj se ai ka paraqitur një rast të fuqishëm se pse duhet ta vazhdojmë këtë luftë. Por, Obama nuk do të jetë në gjendje të largojë dyshimet nëse kjo është një luftë që mund ta fitojmë apo jo. Këto dyshime do të vazhdojnë të mbeten”, tha Otauej.

Ajo përfundoi se Obama është në një situatë të pamundur, kur për çdo vendim të mundshëm do të përballet me kritika edhe nga vetë grupimi i tij politik. (I.B.)
XS
SM
MD
LG