Ndërlidhjet

logo-print

GJND - hapje e proceseve politike


Hagë, 1 dhjetor 2009 - Delegacioni i Kosovës

Hagë, 1 dhjetor 2009 - Delegacioni i Kosovës

Ekspertët dhe analistët në Kosovë nuk presin që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të dalë me një opinion absolut në kuptimin e fjalorit juridik.



Seanca e parë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është zhvilluar me dinamikën e pritur dhe me shtrimin e argumenteve nga Serbia dhe Kosova, argumente këto që kanë qenë të njohura për opinionin e gjerë. Kështu vlerësojnë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare dhe analistët e çështjeve politike në Kosovë.

Afrim Hoti, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se Serbia tregoi se këmbëngul në të drejtën e sovranitetit dhe integritetit territorial, ndërkohë që Kosova këmbëngul në të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Sipas tij, seanca e parë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka nxjerrë në pah ndonjë argument të papritur nga cilado palë.

“Mendoj se procesi do të ketë një ritëm, pak a shumë, të parashikuar dhe se gjykata do të ketë mundësinë që të shoshisë dhe të argumentojë secilin fakt të prezantuar, qoftë nga njëra apo pala tjetër”.

“Gjykata do të jetë në një pozicion, sigurisht asnjanës, në kuptimin e animit qoftë të njërit parim, qoftë të parimit tjetër. Të dyja palët, normalisht, do të vazhdojnë me argumentet e tyre”,
thotë Hoti.

Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, thotë se, duke pasur parasysh faktin se parimi i sovranitetit dhe parimi i së drejtës për vetëvendosje janë të barabartë në të drejtën ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të përfshijë vetëm argumentet mbi këto parime, por edhe më gjerë.

“Ajo, sigurisht se do t’i marrë në shqyrtim jo vetëm argumentet, por të gjitha parimet së bashku të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë parimin e sovranitetit, parimin e së drejtës së vetëvendosjes së popujve, parimin e respektimit të të drejtave të njeriut, për shkak se asnjëri parim nuk mund ta përjashtojë tjetrin”.

“Do të thotë, të gjitha parimet janë të ndërlidhura ndërmjet vete. Po ashtu, me siguri se do ta ketë parasysh edhe faktin se me Rezolutën 1244 është suspenduar juridiksioni i Serbisë në territorin e Kosovës”,
shprehet Qirezi.

Ai shton se, me gjithë faktin se ekzistojnë shumë elemente, të cilat janë në favor të mbrojtjes së ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk pret ndonjë vendim ose opinion juridik të prerë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Unë mendoj se Kosova nuk ka arsye të ketë drojë nga rezultati përfundimtar i këtij gjykimi, thënë kushtimisht, i këtij procesi”.

“I vetmi efekt negativ, të cilin e ka pasur ky proces deri më tash, ka qenë, në njëfarë mënyre, vonesa e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës nga më shumë shtete, të cilat presin që së pari të kryhet ky proces, e pastaj të vazhdojnë me njohjen e shtetit më të ri në botë
”, thekson Qirezi.

Ndërkaq, Afrim Hoti thotë se vlerësimet e deritashme të analistëve, se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të sjellë ndonjë vendim të prerë, janë të qëndrueshme.

Ai nuk pret që gjykata do të mund të jetë në gjendje që të japë ndonjë opinion juridik me terma absolutë. Kjo, sipas tij, do t’u hapte rrugë proceseve politike në Serbi dhe Kosovë, të cilat do të vazhdojnë në kahe të kundërta.

“Proceset politike do të vazhdojnë edhe në Kosovë e edhe në Serbi. Serbia, normalisht, duke pretenduar se ka fituar betejën e drejtësisë në Gjykatën Ndërkombëtare, do të vazhdojë me trendet e kërkimit të hapjes ose të rihapjes së negociatave për gjetjen e një formule për statusin e Kosovës”.

“Ndërkohë, Kosova po ashtu do ta interpretojë sipas kutit të saj, si një fitore në gjykatë. Pika e tretë është ajo e problemit të Kosovës në këndvështrimin ndërkombëtar, duke i dhënë Kosovës mundësinë e zhbllokimit eventual të njohjeve
”, përfundon Hoti.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG