Ndërlidhjet

GJND - zbutje tensionesh


Hagë
Hagë

Procesi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë në GJND, sipas diplomatëve dhe njohësve të së drejtës ndërkombëtare, nuk do të ketë ndikim negativ në statusin politik të Kosovës.


Diplomatë, njohës të së drejtës kushtetuese dhe asaj ndërkombëtare kanë vlerësuar në një tryezë në Prishtinë, se procesi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Hagë, nuk do të ketë ndikim negativ në njohjet e mëtutjeshme të pavarësisë së vendit.

Ish-ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitri Rupel, vlerësoi se ky proces nuk do të ndikojë në fatin e Kosovës e as nuk do ta dëmtojë shtetin e ri.

Për më tepër, Rupel tha se përballja e Kosovës dhe e Serbisë në Hagë është rrugë e ligjshmërisë së mëtutjeshme dhe e njohjes së mëtutjeshme të Kosovës si aktor ndërkombëtar.

“Këtë, në një mënyrë, e shoh si një zbutje të tensioneve mes Kosovës e Serbisë dhe tash të dyja palët po i diskutojnë çështjet së bashku në Gjykatën e Drejtësisë, më tepër në një nivel akademik dhe jo në arenën luftarake”.

“Është një situatë e re për ta shmangur ashpërsinë e konfliktit, është një situatë në të cilën palët e përfshira po e largojnë tërë problemin nga arena politike në një nivel shumë më pak të rrezikshëm”.

“Sa i përket rezultatit, nuk mund të spekuloj, por supozoj se nuk do të jetë i dëmshëm për Kosovën”,
tha Rupel, për të shtuar se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës janë të pakthyeshme.

Ndërkaq, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare konsiderojnë se Kosova nuk do të humbasë asgjë në procesin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Akademik Esat Stavileci tha se shqyrtimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nuk do t’i sjellë asgjë të keqe vendit.

“Në dëm të Kosovës, nuk do të ketë ndonjë prononcim të gjykatës. Mund të ndodhë që në përshkrimin e përgjithësuar të procesit të shihet favorizimi për faktin, që për mua nuk është i parëndësishëm, se pavarësia e Kosovës është një fakt i kryer”, u shpreh Stavileci.

Ai nënvizoi se përfaqësuesit e Kosovës në GJND i kanë prezantuar në mënyrën e duhur faktet për shpalljen e pavarësisë. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është në përputhje me gjithë procesin politik.

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me procesin politik, i cili është pritur si dizajnim i gjithë asaj që ka ndodhur për 20 vjetët e fundit”, tha Stavileci.

Kurse, njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, njëherësh ministër i Administratës Publike, Arsim Bajrami, tha se avokatët e palës kosovare në GJND, në krye me Majkëll Vudin, janë duke argumentuar pavarësinë e Kosovës me fakte vendore dhe ndërkombëtare.

“Kanë bërë një mbrojtje të shkëlqyer karshi një prezantimi të zbehtë historik që ka bërë Serbia, duke iu rikthyer çështjes së Kosovës si çështje historike, jo si çështje mitologjike, që është një çështje anakronike dhe duke parë që me mite nuk shkohet në Evropë”.

“Në Evropë shkohet me fakte konkrete. Fakti i parë që vërteton se Kosova është një rast i vetëvendosjes, është fakti se Kosova ka qenë një rast i aneksimit kushtetues”,
theksoi Bajrami.


GJND - hapje e proceseve politike

Seanca e parë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është zhvilluar me dinamikën e pritur dhe me shtrimin e argumenteve nga Serbia dhe Kosova, argumente këto që kanë qenë të njohura për opinionin e gjerë. Kështu vlerësojnë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare dhe analistët e çështjeve politike në Kosovë.

Afrim Hoti, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se Serbia tregoi se këmbëngul në të drejtën e sovranitetit dhe integritetit territorial, ndërkohë që Kosova këmbëngul në të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Sipas tij, seanca e parë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka nxjerrë në pah ndonjë argument të papritur nga cilado palë.

“Mendoj se procesi do të ketë një ritëm, pak a shumë, të parashikuar dhe se gjykata do të ketë mundësinë që të shoshisë dhe të argumentojë secilin fakt të prezantuar, qoftë nga njëra apo pala tjetër”.

“Gjykata do të jetë në një pozicion, sigurisht asnjanës, në kuptimin e animit qoftë të njërit parim, qoftë të parimit tjetër. Të dyja palët, normalisht, do të vazhdojnë me argumentet e tyre”,
thotë Hoti.

Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, thotë se, duke pasur parasysh faktin se parimi i sovranitetit dhe parimi i së drejtës për vetëvendosje janë të barabartë në të drejtën ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të përfshijë vetëm argumentet mbi këto parime, por edhe më gjerë.

“Ajo, sigurisht se do t’i marrë në shqyrtim jo vetëm argumentet, por të gjitha parimet së bashku të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë parimin e sovranitetit, parimin e së drejtës së vetëvendosjes së popujve, parimin e respektimit të të drejtave të njeriut, për shkak se asnjëri parim nuk mund ta përjashtojë tjetrin”.

“Do të thotë, të gjitha parimet janë të ndërlidhura ndërmjet vete. Po ashtu, me siguri se do ta ketë parasysh edhe faktin se me Rezolutën 1244 është suspenduar juridiksioni i Serbisë në territorin e Kosovës”,
shprehet Qirezi.

Ai shton se, me gjithë faktin se ekzistojnë shumë elemente, të cilat janë në favor të mbrojtjes së ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk pret ndonjë vendim ose opinion juridik të prerë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Unë mendoj se Kosova nuk ka arsye të ketë drojë nga rezultati përfundimtar i këtij gjykimi, thënë kushtimisht, i këtij procesi”.

“I vetmi efekt negativ, të cilin e ka pasur ky proces deri më tash, ka qenë, në njëfarë mënyre, vonesa e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës nga më shumë shtete, të cilat presin që së pari të kryhet ky proces, e pastaj të vazhdojnë me njohjen e shtetit më të ri në botë
”, thekson Qirezi.

Ndërkaq, Afrim Hoti thotë se vlerësimet e deritashme të analistëve, se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të sjellë ndonjë vendim të prerë, janë të qëndrueshme.

Ai nuk pret që gjykata do të mund të jetë në gjendje që të japë ndonjë opinion juridik me terma absolutë. Kjo, sipas tij, do t’u hapte rrugë proceseve politike në Serbi dhe Kosovë, të cilat do të vazhdojnë në kahe të kundërta.

“Proceset politike do të vazhdojnë edhe në Kosovë e edhe në Serbi. Serbia, normalisht, duke pretenduar se ka fituar betejën e drejtësisë në Gjykatën Ndërkombëtare, do të vazhdojë me trendet e kërkimit të hapjes ose të rihapjes së negociatave për gjetjen e një formule për statusin e Kosovës”.

“Ndërkohë, Kosova po ashtu do ta interpretojë sipas kutit të saj, si një fitore në gjykatë. Pika e tretë është ajo e problemit të Kosovës në këndvështrimin ndërkombëtar, duke i dhënë Kosovës mundësinë e zhbllokimit eventual të njohjeve”,
përfundon Hoti.
XS
SM
MD
LG