Ndërlidhjet

Pas përmbylljes së procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të pasojë një valë e re njohjesh për Kosovën, thonë autoritetet në Prishtinë. Ata, njëherësh, përgëzojnë edhe paraqitjen e delegacionit të Kosovës në Hagë.



Prishtina zyrtare pret shtimin e numrit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës pas procesit të filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u shprehën optimistë për një epilog pozitiv për Kosovën në procesin e GJND-së në Hagë.

Presidenti Sejdiu lavdëroi prezantimin e Kosovës para GJND-së nga ana e ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, dhe tre mbrojtësve ligjorë ndërkombëtarë.

Sejdiu tha se nuk pret tjetër opinion nga GJND-ja pos atij pozitiv për Kosovën, çka, sipas tij, do të reflektohet në dinamizmin e procesit të njohjeve të reja.

“Argumentet e Kosovës janë të parrëzuara në këtë proces, sikurse në të gjitha proceset sa i përket pavarësisë dhe sovranitetit të vendit, sepse, në radhë të parë, është vullnet politik i shprehur i popullit të saj. E dyta, presim absolutisht se do të ketë shtim të njohjeve të Republikës së Kosovës”.

“Ju e dini se ka qenë një numër i vendeve që janë deklaruar publikisht se do të presin një verdikt eventual të Gjykatës dhe Gjykata nuk e besoj se do të ketë qasje tjetër pos qasjes së respektimit të vullnetit real të një populli që të jetojë i lirë e i pavarur”,
tha Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi përgëzoi delegacionin e Kosovës për paraqitjen e djeshme në Hagë, duke besuar se ishte një prezantim i plotë i argumenteve, të cilat do t’i ketë parasysh edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Natyrisht, pas opinionit të GJND-së, presim njohje të reja, presim hapjen e perspektivës për integrime. Nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Kosova pret respektimin e vullnetit të qytetarëve të saj për shtet”, tha Thaçi.
Këto komente, Sejdiu dhe Thaçi i bënë pas një takimi të përbashkët me Ann Taylor, ministre për Mbrojtje dhe Siguri Ndërkombëtare e Mbretërisë së Bashkuar.

Pas paraqitjes së argumenteve në formën e dëshmisë gojore nga ana e Kosovës në GJND, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se prezantimi i Kosovës në Hagë është bërë në mënyrën më dinjitoze.

“U tregua seriozisht angazhimi gjatë gjithë kësaj faze, që ministri vetë dhe Ministria e Jashtme kanë bërë në kuadër të përgatitjes për dëshmi se pavarësia e koordinuar e Kosovës ka qenë zgjidhja më e mirë, më e qëndrueshme dhe më e besueshme jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për ato pak grupe minoritare që jetojnë në Kosovë dhe për shtetet në rajon”, theksoi Haziri.

Pas seancave dëgjimore në Hagë, pritjet e Prishtinës janë që GJND-ja të dalë me një opinion diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Pas këtij opinioni besohet se shumë shtete që kanë hezituar deri tash, do të kalojnë në procedurat e njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG