Ndërlidhjet

Kritika për absorbimin e donacioneve


Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, mbajtur në Bruksel më 11 korrik 2008
Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, mbajtur në Bruksel më 11 korrik 2008

Ekspertët për çështje ekonomike, kritikojnë autoritetet kosovare për mosgatishmëri të treguar në absorbimin e 1.2 miliard euro të Konferencës së Donatorëve, si dhe për mosprofesionalizëm se ku duhet të investohen këto mjete, në mënyrë që të zhvillohet Kosova. Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë, bëjnë të ditur se këto mjete janë duke u investuar në ngritjen e kapaciteteve të shtetit të Kosovës.


Autoritetet kosovare bëjnë të ditur se deri më tani asnjë nga shtetet, të cilat kanë premtuar donacione për Kosovën, nuk i kanë anuluar ato dhe alokimi i mjeteve të Konferencës së Donatorëve është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë.

Kryeshefi i Agjencisë për Koordinime të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, Edon Cana, shprehet:

“Nëse e vlerësojmë në bazë të donatorëve më të mëdhenj, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komisioni Evropian dhe Gjermania, mund të themi se Komisioni Evropian me 80 për qind të të hollave të premtuara është në proces të implementimit dhe kontraktimit”.

“E njëjta gjë vlen edhe për Gjermaninë, e cila 50 për qind të të hollave të premtuara, pra 100 milion euro, 50 për qind të atij, 50 milion euro, është në proces të kontraktimit dhe implementimit, ashtu mund të themi edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Cana thekson se këto donacione, një pjesë e të cilave tashmë janë investuar në sektorë të ndryshëm në Kosovë, kanë ndihmuar kryerjen e shumë projekteve dhe obligimeve që ka pasur Kosova.

Sipas tij, me këto mjete do të përmirësohen shumë fusha të jetës në Kosovë.

“Fondet e Bashkimit Evropian janë investuar për t’i përmbushur kriteret ekonomike dhe politike të Kopenhagës. Pra, në ngritjen e kapaciteteve të shtetit të Kosovës dhe në krijimin e një infrastrukture më të mirë rrugore, arsimore dhe energjetike”, thekson Cana.

Përfaqësuesit e Institutit për Studime të Avancuara, si organi i vetëm nga Kosova, i cili në Konferencën e Donatorëve ka pasur rol këshillëdhënës për Qeverinë e Kosovës, kritikojnë ekzekutivin kosovar për mosgatishmëri dhe mosprofesionalizëm në absorbimin e këtyre fondeve.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, thotë:

“Ende nuk kemi dëgjuar për ndonjë anulim të donacioneve, megjithatë kemi dëgjuar shumë ankesa nga ana e donatorëve për atë se sa ka një vizion të qartë Kosova, sa mund t’i absorbojë këto fonde në kohë të krizës globale dhe këto shtete po pyeten se a ia vlen që këto mjete të investohen në Kosovë, në vend që të investohen në shtetet e tyre”.

“Problemi është që ne nuk kemi treguar gatishmëri të madhe për t’i absorbuar këto fonde dhe nuk kemi treguar profesionalizëm që t’ua bëjmë me dije donatorëve se ku duhet të shkojnë këto, në mënyrë që të zhvillohet Kosova”.

Donatorët, sipas ekspertit për çështje ekonomike, Ahmeti, kanë vazhduar me prioritetin që vetë shtetet i kanë caktuar.

Duke pasur parasysh që secili donator po e ndjek agjendën e vet, thekson Ahmeti, nuk kanë ndonjë plan gjithëpërfshirës që do të tregonte se a janë investuar ato mjete në vend të duhur, apo jo.

“Duhet të ndërtohet një vizion, nuk është koha emergjente, nuk është koha vetëm e rindërtimit, tani është koha e zhvillimit ekonomik dhe në këtë duhet të punojmë shumë më shumë që t’i kemi prioritetet e qarta dhe t’u themi donatorëve që kemi nevojë për investime në ato prioritete dhe jo çdo donator të zgjedhë rrugën e vet”, thotë Ahmeti.

Ai shton se në çdo sektor ka pasur projekte të vogla të donatorëve individualë, të cilat, siç thotë ai, në fund po tregojnë shumë pak rezultate.

Në Konferencën e Donatorëve për Kosovën të mbajtur më 11 korrik të vitit 2008, qenë premtuar 1.2 miliard euro.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë qenë tre donatorët më të mëdhenj në Konferencën e Donatorëve për Kosovën.
XS
SM
MD
LG