Ndërlidhjet

Sfida e arsimimit të romëve


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Arsimimi i fëmijëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas është në nivel shumë të ulët. Kështu thonë ekspertë për çështje të arsimit dhe përfaqësues të komuniteteve, sipas të cilëve, autoritetet kompetente nuk kanë bërë përpjekje për përmirësimin e gjendjes.


Gjendja e arsimimit për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas vazhdon të jetë e rëndë, thonë ekspertë për çështje të arsimit dhe përfaqësues të komuniteteve.

Sipas tyre, mungesa e kushteve ekonomike është arsyeja kryesore që i pengon fëmijët e këtij komuniteti të shkojnë në shkollë.

Bekim Syla nga Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, thotë se këta fëmijë detyrohen të mos të fillojnë, apo ta ndërpresin shkollimin, për shkak se u duhet të punojnë.

“Duhet të punojnë, kushtet e rënda ekonomike i bien në atë gjendje që ta braktisin shkollën e të dalin të punojnë, në mënyrë që të mbijetojnë”, thotë Syla.

Por, jo gjithnjë është mungesa e kushteve ajo që i pengon fëmijët e këtij komuniteti që të vazhdojnë shkollën. Shpeshherë janë prindërit e tyre ata që pamundësojnë shkollimin e fëmijëve.

Kështu pohon Jonuz Salihaj, ekspert për çështje të arsimit, duke shtuar se përfshirja në shkollë e fëmijëve të komuniteteve jo serbe në vend, është shumë e vogël.

“Sigurisht që faktori prind është shumë me rëndësi. Në asnjë instancë arsimi nuk mund të ketë suksese pa përkrahjen e prindërve, mirëpo nga ana tjetër, shteti e ka obligim që të kujdeset për të gjithë qytetarët e vet, në mënyrë që t’u sigurojë, së paku arsimin bazë.”

“Arsimi nëntëvjeçar është i garantuar me ligj dhe çdo qytetar i Kosovës do të duhej ta kishte të garantuar arsimimin në këtë nivel”,
shprehet Salihaj.

Në anën tjetër, Bekim Syla kritikon edhe institucionet kompetente për mungesë përkushtimi në përmirësimin e kësaj gjendjeje. Ai thotë se Ministria e Arsimit ka hartuar strategjinë për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në procesin e arsimit, por nuk e zbaton atë.

“Ekziston strategjia për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në shoqërinë civile kosovare, por ai prapë është një dokument”.

“E, për të qenë ai dokument i zbatueshëm, duhet të ketë një bashkëpunim me shoqërinë civile, me komunitetet, me partitë politike, që të informohet opinioni se çfarë të drejtash kanë. Ai dokument qëndron vetëm si dokument në zyrat e tyre, kurrë nuk e dinë se çfarë po ndodh me atë strategji”,
sqaron Syla.

Edhe Jonuz Salihaj thotë se Ministria e Arsimit duhet të gjejë forma që fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas të përfshihen në procesin arsimor.

Një nga format e mundshme, sipas tij, është ndëshkimi i prindërve, ashtu siç ka ndodhur në vitet e 70-ta.

“Nëse bëjmë një krahasim mes asaj që ka ndodhur në vitet ‘70 dhe ‘80 dhe kësaj që po ndodh pas vitit 2000, atëherë del se me gjithë megalomaninë e MASHT-it se po i përfshin në arsim të gjithë nxënësit e të gjitha kategoritë, kjo vërtet nuk qëndron, sepse asnjë gjobë nuk e kemi shqyrtuar nga organet përgjegjëse për kujdestarët dhe prindërit që nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë”, vlerëson Salihaj.

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vazhdimisht është angazhuar në arsimimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, për shkak se te ta niveli i arsimimit është më i ulët dhe se ende ka fëmijë që nuk janë përfshirë në asnjë aspekt të arsimimit.

Kështu thotë Alush Istogu, drejtor i departamentit të arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, duke shtuar se edhe në të ardhmen kjo ministri do të bëjë përpjekje që të krijojë kushte më të favorshme edhe për këtë komunitet.

Unë besoj që në kuadër të planit dinamik të punës që kemi në vitin 2009, e që kemi planifikuar edhe në vitin 2010, do t’i jepet një rëndësi shumë e madhe këtij komuniteti në gjithëpërfshirjen e sistemit të shkollimit, po them prej nivelit fillor, e deri në përfundimin e shkollave të mesme”, thekson Istogu.

Sidoqoftë, sipas të dhënave të fundit të disa organizatave që merren me të drejtat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, thuhet se që nga niveli parashkollor e deri në nivelin e mesëm, numri i fëmijëve të këtyre komuniteteve që është përfshirë në arsim, është vetëm 4500, që nënkupton vetëm 1.1 për qind karshi dhe komunitetit shumicë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG