Ndërlidhjet

Maqedonia do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe paralelisht me këtë do të zhvillohet edhe procesi i zgjidhjes së kontestit rreth emrit. Kështu konsiderojnë partitë në pushtet. Por, opozita është skeptike në këto pohime.


Partitë në pushtet ende besojnë se në samitin e dhjetorit, Maqedonia do të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është në koalicion me partinë VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski, konsiderojnë se Maqedonia dhe Greqia do të gjejnë modalitete që kontesti rreth emrit të zgjidhet paralelisht me procesin e integrimit në BE.

“Besojmë se deri më 7 dhjetor do të arrihet kompromisi për modalitetet për mospengimin e Maqedonisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe paralelisht me këtë të vazhdojë procesi për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për kontestin që kanë dy shtetet për çështjen e emrit”.

“Shpresojmë që në këtë formë, dy proceset do të ecin dhe kjo të jetë zgjidhje kalimtare që të mos përsëritet Bukureshti i vitit 2008”,
deklaroi Talat Xhaferi, nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Në takimin e fundit me kryetarin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, kryeministri Gruevski tha se Greqia do të ketë dhjetëra shanse për të bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në BE, por të paktën këtë të mos e bëjë tani, kur pritet caktimi i datës për çeljen e negociatave.

Gruevski tha se “sipas rregullave të BE-së, Qeveria greke ka mundësinë që të paktën të bllokojë 70 herë, gjatë hapjes dhe mbylljes së 35 kapitujve, para se të ketë dhe shansin në fund, kur do të duhej të kalojë në Parlament vendimi përfundimtar për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian”.

Në Shkup u kremtua për vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së që qytetarëve të Maqedonisë t'u hiqen vizat për udhëtim në vendet e Unionit. Po i njëjti vendim u mor edhe për Serbinë dhe Malin e Zi.
Ndërkohë, opozita është skeptike për marrjen e datës. Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, ftoi kryeministrin e Maqedonisë që të iniciojë një takim urgjent mes liderëve të partive politike, në të cilin do të harmonizoheshin qëndrimet sa i takon çështjes së kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“Të dalim me një kornizë, me një dokument, i cili do të jetë i nënshkruar nga të gjitha partitë politike dhe të gjithë intelektualët dhe organizatat joqeveritare që përkrahin këtë zgjidhje dhe, e dyta, ky dokument t’u dorëzohet edhe miqve tanë në SHBA, miqve tanë evropianë, zotit Nimic dhe palës greke”, tha Selmani.

Nga ana tjetër, organizata joqeveritare që merren me çështjet e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar mundësinë e prishjes së stabilitetit politik në vend, nëse së samitin e dhjetorit të BE-së bllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë.

Maqedonia për momentin prodhon stabilitet, por me bllokadën greke ajo do të bëhet shtet që do të eksportojë jostabilitet politik, andaj është e domosdoshme që Komisioni Evropian të përcaktojë datën për fillimin e bisedimeve”, tha Lidija Dimova, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

Ajo i bëri thirrje edhe qeverisë për angazhim më të madh në zgjidhjen e kontestit, pasi marrja e datës për fillimin e bisedimeve do të ndikojë pozitivisht te qytetarët e Maqedonisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG