Ndërlidhjet

Nevojat e veçanta - kujdes i veçantë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese


Edhe në Kosovë është shënuar 3 Dhjetori- Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta. Me këtë rast, përfaqësues të këtyre personave, kërkojnë trajtim më të mirë nga institucionet dhe shoqëria. Ndërkaq, përfaqësues të Qeverisë pohojnë angazhimin e tyre për përmirësimin e kushteve të tyre.



Në Ditën Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta, kjo kategori e shoqërisë kërkon trajtim më të mirë nga institucionet dhe shoqëria kosovare, në përgjithësi.

Në një konferencë të organizuar me rastin e shënimit të kësaj dite, përfaqësues të personave me nevoja të veçanta, thonë se jo rrallëherë diskriminimi, abuzimi, mundësitë jo të barabarta për edukim, punësim dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri, janë fakte të shpeshta të jetës së këtyre personave.

Afrim Maliqi, udhëheqës i organizatës “Hendikos”, thotë se nevojitet që institucionet dhe shoqëria kosovare të vetëdijesohen dhe të kenë qasje të drejtë ndaj kësaj kategorie.

“Kjo ditë duhet të na bëjë të kuptojmë se sot, personat me nevoja të veçanta në Republikën e Kosovës, në raport me standardet ndërkombëtare, janë në gjendje shumë më të rëndë, se sa që duhej të ishin, sipas dokumenteve dhe konventave tjera ndërkombëtare”.

“Ata janë në situatë të varfërisë, me burime dhe mundësi të kufizuara financiare, që e vështirësojnë edhe më shumë situatën e tyre”,
thotë Maliqi.

Lidhur me problemet e kësaj kategorie të shoqërisë, Maliqi përmend vërejtjet që janë bërë edhe në Raportin e Progresit për Kosovën.

“Raporti i progresit thekson se integrimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla është ende i pamjaftueshëm. Ende mungon një strategji mbi çështjet e personave me nevoja të veçanta, mungojnë statistikat reale mbi numrin e këtyre personave”.

“Ka mungesë serioze në integrimin e personave me nevoja të veçanta mendore në shoqëri. Po, ashtu ky raport thekson edhe mungesën e pajisjeve ndihmëse për personat me nevoja të veçanta, gjithashtu edhe punësimin e këtyre personave, si grupi më i pafavorshëm në Kosovë”,
thekson Maliqi.

Në anën tjetër, Bujar Kadriu, përfaqësues i Koalicionit për Personat me Nevoja të Veçanta, pohon se jetën e këtyre personave po e rëndon shumë edhe moszbatimi i ligjeve dhe mekanizmave që përfshijnë çështjen e personave me nevoja të veçanta.

“Ne mendojmë se standardi kryesor drejt respektimit të tyre është zbatimi i legjilaslacionit në Kosovë, respektimi i mekanizmave tjerë, të cilët flasin për liritë dhe të drejtat të njeriut”
, pohon Kadriu.

Ndërkaq, një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, është përmirësimi i kushteve të personave me nevoja të veçanta.

Kështu thotë Habit Hajredini, drejtor në Zyrën për Qeverisje të Mirë, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë së Kosovës.

Në këtë kuadër, ai shprehet se Qeveria e Kosovës në prill të këtij viti, ka aprovuar Planin Kombëtar të Veprimit për Persona me Nevoja të veçanta.

“Dhe, që nga shtatori i këtij viti, institucionet e Republikës së Kosovës, të gjithë akterët që janë involvuar këtu dhe mekanizmat tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, janë duke punuar në implementimin e këtij plani kombëtar”.

“Ky edhe është dokumenti kryesor që paraqet objektivat e qarta për të realizuar detyra konkrete nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”
, shprehet Hajredini.

Ndryshe, 3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta, në Kosovë shënohet çdo vit, me qëllim nxitjen e njohjes së të drejtave njerëzore të personave me nevoja të veçanta, që supozohet se përbëjnë shtatë për qind të popullatës.
XS
SM
MD
LG