Ndërlidhjet

logo-print

Zëri i pakicave në nivelin lokal


Graçanicë

Graçanicë

Pjesëmarrja dhe vendimmarrja e komuniteteve joshumicë në nivelin lokal në Kosovë, ndonëse mundësohen nga korniza ligjore e vendit, nuk janë duke u realizuar në praktikë. Ky vlerësim jepet, ndër të tjera, në raportin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë.


Raporti i fundit i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë vë në pah se korniza ekzistuese ligjore në vend, ndonëse përcakton bazën për sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve dhe pjesëmarrjen e tyre në proceset vendimmarrëse në nivel lokal, nuk po zbatohet në mënyrë adekuate.

Në këtë kuadër theksohet se zvogëlimi i kapaciteteve të mekanizmave ekzistues për këtë çështje është ndikuar nga ndryshimet politike në vend në vitin 2008.

Zvogëlimi i efikasitetit të këtyre mekanizmave, siç thuhet, ka ndodhur për shkak të bojkotimit të komunitetit serb e atij rom dhe për shkak të mungesës së fuqizimit të përfaqësuesve të komuniteteve nga udhëheqësit komunalë.

Uerner Almhofer
Shefi i OSBE-së në Kosovë, Uerner Almhofer, thotë se për ta përmirësuar gjendjen aktuale në përfaqësimin e komuniteteve në Kosovë, është e nevojshme mbështetja financiare dhe ajo në ngritjen e kapaciteteve në nivelin lokal të Kosovës.

“Mekanizmat për pjesëmarrje në nivelin lokal me resurse dhe mbështetje adekuate financiare, sikurse me përfshirjen e të gjitha komuniteteve, janë vitale për të siguruar përfaqësimin demokratik për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thotë Almhofer.

Sipas OSBE-së, roli i mekanizmave për komunitete në nivel lokal zbehet po qe se ata mekanizma nuk janë funksionalë edhe në praktikë.

Zëvendësdrejtori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete në OSBE, Uolf-Majkëll Murs, shpjegon:

“Shumë nga këta mekanizma janë themeluar dhe shumë nga ta edhe janë përbërë. Mirëpo, sigurisht se për të gjithë këta mekanizma ne duhet, në të ardhmen, të punojmë në drejtim të funksionalitetit të tyre, të formimit të kapaciteteve, në mënyrë që shërbimet publike t’u ofrohen të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Raporti analizon funksionimin e mekanizmave të detyrueshëm dhe atyre të padetyrueshëm për komunitete në Kosovë, duke qartësuar kështu se bojkotimi i serbëve dhe tërheqja e tyre nga institucionet e nivelit lokal pas shkurtit të vitit të kaluar, i ka lënë ata, siç thuhet, të nënpërfaqësuar në disa komuna.

Kjo, siç nënvizohet, vlen sidomos për pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht për tri komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Mitrovicës.

Këto komuna thuhet se përballen me një deficit demokratik, si rezultat i emërimeve të zyrtarëve komunalë nga shefi i atëhershëm i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, pas anulimit të zgjedhjeve të 2007-ës për këtë rajon.

Tradita e bojkotit të serbëve për Zubin Potokun, Leposaviqin dhe Zveçanin, ndërkaq, ka vazhduar edhe në zgjedhjet lokale të nëntorit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, bën të ditur se janë duke u shqyrtuar mundësitë se si të vazhdohet më tutje në këtë pjesë të vendit.
Do të duhet të sigurohet një prezencë më e madhe e institucioneve të Republikës së Kosovës atje... së shpejti opinioni do të dëgjojë se cila do të jetë strategjia...

“Do të duhet të sigurohet një prezencë më e madhe e institucioneve të Republikës së Kosovës atje dhe ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Jemi në kontakt me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe së shpejti opinioni do të dëgjojë se cila do të jetë strategjia dhe cilat do të jenë qëndrimet tona në këtë drejtim”.

“Ndërsa, sa i përket certifikimit të rezultateve për këto tri komuna, ende jemi duke biseduar dhe do të njoftoheni së shpejti për qëndrimet që i kemi”,
thekson ministri Ferati.

Ndërkohë, në rekomandimet e dokumentit të OSBE-së për këtë temë, ndër të tjera, theksohet nevoja për fuqizimin e komunikimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, në njërën anë, dhe komunikimit ndërmjet strukturave komunale dhe komuniteteve joshumicë, në anën tjetër.
XS
SM
MD
LG