Ndërlidhjet

logo-print
Thirrja për pjesëmarrje në zgjedhjet e 15 nëntorit, Rada Trajkovqit i ka kushtuar me përjashtim nga udhëheqësia, por edhe nga anëtarësia e Këshillit Nacional Serb (KNS).

Ky këshill, para disa ditësh, ka përjashtuar tërësisht nga strukturat e veta nënpresidenten e deritashme për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviqin, me arsyetimin se ka shkelur statutin e këshillit, duke u bërë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës. Por, Trajkoviq e ka quajtur vendimin jolegjitim.

“Për mua personalisht paraqet problem prania e peshkopit Artemie në takim, mu në ditët e para të agjërimit për krishtlindje, që për mua paraqet një porosi të rëndë dhe për këtë arsye më vjen keq personalisht”.

“Ndërsa, sa i përket vetë Këshillit Nacional Serb, vendimi është plotësisht jolegal dhe jolegjitim, sepse askush nuk ka marrë pjesë nga veriu i Kosovës, askush nga anëtarët e këshillit nga Shtërpca nuk ka marrë pjesë, por vetëm një numër i vogël njerëzish nga Kosova qendrore dhe një numër i vogël nga Anamorava, që flet për falsifikim klasik”,
është shprehur Trajkoviq.

Drejtuesit e Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore kanë thënë se vendimi është legjitim. Ndërkaq, një nga liderët e KNS-së për veriun e Kosovës, Marko Jakshiq, ka thënë se mosprania e tyre në mbledhjen e mbajtur në Graçanicë, ka qenë e qëllimshme. Ai ka përshëndetur vendimin për përjashtim.

“Në të vërtetë, nga veriu nuk kanë qenë të pranishëm, në mënyrë që zonja Trajkoviq të mos mund të thoshte se nacionalistët serbë nga veriu i Kosovës kanë marrë pjesë në përjashtimin e saj. Takimit i ka dhënë kualitet prania e peshkopit Artemie, i cili po ashtu, në një formë, ka mbështetur vendimin e KNS-së”.

“Qëndrimet e zonjës Trajkoviq, kohëve të fundit, kanë qenë shumë më të afërta me ato të Natasha Kandiqit, sesa Këshillit Nacional Serb, dhe ka qenë në pyetje vetëm momenti, koha se kur Këshilli Nacional Serb do ta përjashtonte nga radhët e tij zonjën Trajkoviq”,
ka thënë Jakshiq.

Por, sipas Rada Trajkoviqit, me vendimin për përjashtim, Këshilli Nacional Serb ka treguar se aty nuk ka vend për ata që mendojnë ndryshe.

Ky është Ballkan dhe demokracia është larg dhe të gjithë duam totalitarizëm e të gjithë fshihemi pas demokracisë”, ka theksuar Trajkoviq.

Në anën tjetër, Marko Jakshiq, ka thënë se qëndrimet e zonjës Trajkoviq nuk përkonin më me ato të Këshillit Nacional Serb, organ ky që nuk i njeh institucionet e Kosovës.
Dalja e serbëve në zgjedhje nënkupton pranimin e një shteti tjetër nga ana e serbëve, nënkupton se Beogradin më nuk e kemi kryeqytet dhe kjo i cenon direkt interesat nacionale dhe shtetërore serbe...

“Këshilli Nacional Serb propagandon mbetjen e Kosovës në përbërje të Serbisë dhe kjo është platforma bazike, në të cilën mbështetet KNS në tërë Kosovën dhe në pjesët ku jetojnë serbët”.

“Dalja e serbëve në zgjedhje nënkupton pranimin e një shteti tjetër nga ana e serbëve, nënkupton se Beogradin më nuk e kemi kryeqytet dhe kjo i cenon direkt interesat nacionale dhe shtetërore serbe, si dhe mbetjen e serbëve në këto hapësira”,
ka thënë Jakshiq.

Megjithëse thirrja për të dalë në zgjedhje ka qenë shkak i përjashtimit të saj, Rada Trajkoviq vazhdon të mbështesë zgjedhjet. Ajo ka thënë se aktualisht është duke u marrë me fushatën për kandidatin serb, që ka hyrë në balotazh në Novobërdë.

Trajkoviq ka shprehur besimin se problemi me KNS-në mund të zgjidhet në paqe, por vetëm pas zgjedhjeve dhe festave të fundvitit.

“Jo vetëm që do të hidhet poshtë një vendim i tillë, por unë mendoj se do të bisedojmë në paqe. Ne nuk do të kërkojmë që të largohen ata, të cilët e kanë mashtruar popullin, por do të angazhohemi që totalitarizmi të mos jetë mbiemër, i cili do të gjendet pas emrit të cilitdo anëtar të KNS-së”, ka thënë Trajkoviq.

Serbët e Kosovës janë ndarë në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në zgjedhjet e 15 nëntorit, zgjedhje këto që u mundësuan atyre fitimin e tri komunave të reja me shumicë serbe dhe zgjerimin e një komune aktuale.

Ndasitë janë bërë kryesisht në vija gjeografike - veriu ka qenë kundër, ndërsa shumica e serbëve në jug të lumit Ibër për. Kjo është parë edhe me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Për shkak të mospjesëmarrjes, komunat veriore janë fituar nga partitë shqiptare, ndërsa komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër u fituan nga partitë serbe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG