Ndërlidhjet

NATO: Aleatët ofrojnë 7 mijë trupa për Afganistanin


Nga takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s...

Nga takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s...

Pas vendimit të presidentit Barak Obama për dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan, NATO-ja shpalli se vendet anëtare dhe aleatët kanë ofruar rreth 7 mijë trupa tjerë, ndërsa pritet që numri i tyre të rritet. Me këto trupa shtesë, numri i përgjithshëm i trupave të huaja në Afganistan do të jetë më shumë se 140 mijë.


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se afro 25 aleatë të Shteteve të Bashkuara në Afganistan kanë ofruar, deri tani, rreth 7 mijë trupa për të ndihmuar luftimin e kryengritjes së talibanëve dhe shtoi se “do të ketë edhe më shumë”.

Duke folur pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, Rasmusen tha se përforcimet do të arrijnë në Afganistan në vitin 2010.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.
“Të paktën 25 vende do të dërgojnë më shumë forca për misionin në vitin 2010. Ato kanë ofruar rreth 7,000 forca të reja, por do të ketë edhe më shumë. Duke llogaritur kontributin e Shteteve të Bashkuara, kjo nënkupton se ISAF-i do të ketë të paktën 37 mijë ushtarë më shumë në vitin 2010, se këtë vit”,
tha Rasmusen.

Sidoqoftë, ai më herët paralajmëroi se dërgimi i më shumë trupave në Afganistan nuk është “plumb i argjendtë” dhe u tha aleatëve të përgatiten për betejë të gjatë.

Rasmusen u tha 28 ministrave të jashtëm të NATO-s se konflikti me talibanët kërkon “përpjekje të vërtetë ekipore”.

Në takimin e sotëm në selinë e aleancës, ministrat e jashtëm të NATO-s e diskutuan strategjinë kundër talibanëve dhe Al Kaidës.

Takimi vjen disa ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, shpalli se ka vendosur të dërgojë edhe 30 mijë trupa amerikane në Afganistan.

Trupat shtesë do të rrisin numrin e trupave të huaja në Afganistan më shumë se 140 mijë. Kjo do të jetë përpjekje e rëndësishme për ta rimarrë iniciativën kundër talibanëve, pas më shumë se tetë vjetëve të konfliktit. (V.P.).


NATO i thotë po Malit të Zi, shtyn vendimin për Bosnjën

Ministrat e jashtëm të NATO-s janë duke vazhduar, në selinë e aleancës në Bruksel, takimin e tyre dyditësh, në të cilin, mes tjerash, po diskutohet edhe për Ballkanin dhe perspektivën euroatlantike të këtij rajoni. Në komunikatën zyrtare nga ky takim është folur edhe për Kosovën dhe misionin e KFOR-it atje.

“Misioni ynë i KFOR-it në Kosovë mbetet në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ai është duke bërë një transferim gradual, i cili do të varet edhe nga situata politike dhe do të bëhet rishqyrtimi politik i transferimit të këtij misioni në një mision që do të ketë për detyrë parandalimin”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga NATO-ja.

Mirëpo, temë kryesore e takimit është misioni në Afganistan dhe qëndrimet e shteteve anëtare për t’i ndihmuar aleatët në atë mision.

Pos Shteteve të Bashkuar të Amerikës, që kanë thënë se do ta shtojnë numrin e ushtarëve për 30 mijë ushtarë të rinj në Afganistan, edhe shtetet tjera kanë premtuar se do të mbledhin, së paku, 7 mijë ushtarë shtesë atje.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, në konferencën për shtyp tha se NATO-ja do të insistojë që të bëhet, siç u shpreh ai, afganizimi i Afganistanit, që do të thotë të jepen më shumë detyra në duart e organeve të sigurisë së këtij shteti.

Prandaj, shumë shtete janë ofruar që të ndihmojnë në organet afganistane të sigurisë, përfshirë ushtrinë dhe policinë.

Sa i përket Ballkanit perëndimor, lajm kryesor i ditës është hapja e Planit të Veprimit për anëtarësim për Malin e Zi dhe sinjali i qartë se kjo do të hapet edhe për Bosnjën e Hercegovinën, sapo ky shtet t’i përmbushë kriteret – pra, të shënojë përparim në reforma.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, e quajti si shumë të rëndësishëm faktin se tri ushtri që luftonin kundër njëra-tjetrës në Bosnjë Hercegovinë tash janë në një Ministri të Mbrojtjes dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë.

Ai tha se me vendimin e sotëm, NATO-ja jep një sinjal të qartë se do ta shohë së shpejti Bosnjën në familjen e saj në NATO dhe nuk është më çështje a do të hyjë, apo jo, Bosnja në NATO, por vetëm kur.

Zyrtarë të NATO-s e shohin si shumë të rëndësishëm procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit me strukturat euroatlantike, sepse kjo e shndërron këtë Ballkan, nga një zonë, e cila ishte konsumuese e misioneve ndërkombëtare në një zonë, e cila do të jetë e sigurt, pjesë e familjes euroatlantike, por edhe e gatshme që të kontribuojë në pjesë të tjera të rajonit.(A.P.)


XS
SM
MD
LG