Ndërlidhjet

Përshtypjet nga java e parë në GJND


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë i ka afirmuar edhe më shumë argumentet e Kosovës si shtet i pavarur e sovran para bashkësisë ndërkombëtare, vlerësojnë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.



Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka dëshmuar se Kosova mund ta fitojë betejën e argumenteve në raport me Serbinë, thanë përfaqësuesit politikë kosovarë.

Kryeministri Hashim Thaçi shprehu edhe sot besimin e tij në të drejtën ndërkombëtare dhe në vendimin e paanshëm dhe të drejtë të GJND-së.

“GJND-ja po vazhdon për Kosovën me një prezantim shumë të dinjitetshëm, shumë argumentues për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur. Është një prezantim shumë i përgatitur, i cili do të ketë edhe reflektimet e drejtpërdrejta në vendimmarrje”.

“Pra, shteti i Kosovës vazhdon të besojë në drejtësinë ndërkombëtare dhe është shpallur në përputhshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e vullnetin e qytetarëve të Kosovës”,
deklaroi Thaçi.

Ditët e para të procesit në Hagë, nga deputetët e Parlamentit të Kosovës vlerësohen si riafirmim para opinionit ndërkombëtar i së drejtës së pacenueshme të Kosovës për të qenë shtet i pavarur e sovran.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hydajet Hyseni, tha se Kosova ka mundur të përdorë edhe më shumë argumente, sesa ato që janë dëgjuar deri tash. Ai e çmoi shumë lart prezantimin e ekspertit britanik, Majkëll Vud.

“Kosova dhe në përgjithësi popujt e shtypur nuk kanë asnjëherë arsye t’i frikësohen këtij ballafaqimi”.

“Për mendimin tim, Kosova, forcën e argumentit të saj do të duhej ta përdorte edhe më mirë, më gjerësisht dhe pa kufizimet tashmë të njohura dhe pranuara edhe në gjykatë, se rasti i Kosovës është vërtet i veçantë, por është edhe rasti i kombit të ndarë e të rindarë me dhunë dhe në kundërshtim me të gjitha parimet e së drejtës”.

“Prezantimi i avokatit Vud dhe disa miqve besoj se duhet të shërbejë si mësim, se në raste të tilla e vërteta duhet thënë troç”,
tha Hyseni.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bujar Bukoshi, përveç vlerësimeve pozitive rreth paraqitjes së Kosovës dhe vendeve që e mbështesin atë në këtë proces, tha se beson se pas epilogut dhe mendimit këshillëdhënës të GJND-së, shumë vende do ta kenë edhe me lehtë t’i marrin vendimet në lidhje me njohjen e shtetit të Kosovës.

“Procesi ka shkuar mirë, Kosova është mbrojtur mirë dhe kemi fituar edhe aleatë të mirë".

"Do të thosha se edhe epilogu do të përfundojë mirë dhe nuk shoh kurrfarë konsekuence negative sa u përket pastaj njohjeve në të ardhmen, pas vendimit të GJND-së, i cili do të jetë më shumë preferencë, sepse procesi, që sa herë është thënë dhe nuk është e tepërt të përsëritet,o është rrugë pa kthim”,
theksoi Bukoshi.

Me vlerësime pozitive rreth procesit të Hagës është prezantuar edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë. Deputeti i kësaj partie, Lulëzim Zeneli, tha se ka parë një paraqitje të mirë të Kosovës atje dhe pret që gjykata t’i ketë parasysh argumentet shumë më të fuqishme që i ka Kosova në raport me Serbinë.

“E vlerësojmë si paraqitje dinjitoze në argumentimin e pavarësisë së Kosovës dhe të procesit, i cili ka rezultuar deri më sot. Presim rezultate pozitive dhe këto rezultate apo efekte të këtij procesi do të reflektohen edhe me shtimin e njohjeve të reja të shtetit të pavarur të Kosovës”.
“Ne duhet ta kemi parasysh se të gjitha argumentet janë në anën e palës kosovare”,
deklaroi Zeneli.

Ndonëse procesi në Hagë është iniciuar nga Serbia, deputetët kosovarë thanë se qëllimet serbe për të kundër-argumentuar të drejtën e Kosovës për pavarësi, po dështojnë dhe me këtë proces, sipas tyre, shteti i Kosovës vetëm po fiton një afirmim dhe mbështetje edhe më të madhe ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG