Ndërlidhjet

Infektologët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës zhvilluan një video-konferencë me ekspertët për sëmundje infektive nga Britania e Madhe, Irlanda dhe Italia, në lidhje me trajtimin klinik të rasteve të virusit A-H1N1.


Ekrani i madh i një televizori të vendosur në amfiteatrin e Qendrës së Telemjekësisë së Kosovës në Prishtinë u shndërrua në portal komunikimi me Londrën, Dublinin dhe Romën për rreth 70 mjekë, asistentë dhe infermierë të Klinikës Infektive, të cilët, për më shumë se dy orë, shkëmbyen përvojat për trajtimin klinik të rasteve të virusit A-H1N1 me ekspertët e këtyre qendrave në botë.

Video-konferenca u zhvillua në mënyrë interaktive dhe nisi me ligjëratën e një eksperti britanik mbi trajtimin e të sëmurëve me suficiencë respiratore.

Infektologu Sali Ahmeti e vlerësoi si të frytshme konferencën e organizuar nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë.

“Shpeshherë këtu, ekspertë të niveleve të larta kanë qasje të ndryshme, mirëpo, natyrisht, esenca qëndron në atë se nga shumë shkëmbime mendimesh, zgjidhet ai për të cilin mendohet se është më i miri dhe më efikasi“, tha Ahmeti, pyetja e të cilit drejtuar këshilltarit për mjekësi urgjente në Leicester të Britanisë së Madhe, njëherazi këshilltar i OBSH-së, Simon Mardel, ndërlidhej me konstatimin se gripet e zakonshme prekin kryesisht personat e moshave të vjetra dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa infektimet me virusin A-H1N1 kanë ndodhur edhe te personat e moshës 20 deri në 40-vjeçare.

Ahmeti kërkoi mendimin e mjekut britanik për vlerësimin se a ka ndodhur kjo për shkak të pategjinitetit të shtimit të virusit dhe strukturës gjenetike të tij. Në lidhje me këtë, Mardel tha:

“Mendoj se në fillim të pandemisë kam vërejtur se shtetet po raportonin për adoleshentë që iu drejtoheshin sistemit të shëndetësisë në ditën e fundit apo me forcat e fundit të jetës. Njerëzit e moshës më të re kanë një sistem mbrojtës më të madh, por pastaj pësojnë një shkatërrim të shpejtë dhe të rëndë”.

“Andaj, përshkrimi që ofruat ju për këtë sëmundje, nuk dallon shumë nga ajo që kam parë në shtete të tjera
”, u shpreh Mardel, duke këshilluar të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimin e virusit A-H1N1 të marrin masa paraprake para një shpërthimi më të madh të virusit.

Nevoja për marrjen e masave parandaluese dhe monitorimin e trendit të infektimit me të ashtuquajturin grip të derrave u ngrit dhe nga shefi i OBSH-së për Kosovën, Skënder Syla.

“Numri i viktimave deri më tani, në bazë të informatave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, është 10. Nuk mund të themi që është në rritje, për arsye se, ditëve të fundit, kemi më pak hospitalizime. Mirëpo, gjendja duhet të monitorohet për së afërmi, të vërehen trendet dhe masat të ndërmerren në mënyrë adekuate”, theksoi Syla.

Ndërkohë, në mbledhjen e së premtës të grupit për menaxhimin e gripit të derrave u bë e ditur se, deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar 193 raste të infektimit me A/H1N1.
XS
SM
MD
LG