Ndërlidhjet

As larg, as afër BE-së


Prishtinë
Prishtinë

Ambasadorja e Republikës së Çekisë në Kosovë, Janina Herbickova, thotë se Kosova nuk është shumë larg, por as afër integrimit në Bashkimit Evropian. Kurse, ekspertët për integrime evropiane vlerësojnë se njohja e pavarësisë së vendit nga të gjitha shtetet e BE-së, do të paraqesë problem për nisjen e procedurave për integrim në këtë mekanizëm.


Kosova nuk është larg, por as afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, thotë ambasadorja e Republikës së Çekisë në Kosovë, Janina Herbickova.

Ajo thekson se shumë çështje, që për vendet tjera janë teknike, në rastin e Kosovës shndërrohen në politike.

“Kosova është dhe nuk është larg. Dhe, kjo nuk është, më besoni, një përgjigje diplomatike. Thashë, pse nuk është larg? Nuk është larg, sepse punon nën strukturat evropiane që nga fillimi, sepse një nga shtyllat e UNMIK-ut ka qenë ajo e BE-së, sepse ka sistemin e mekanizmit përcjellës”.

“Por, nga ana tjetër është larg. Për shkak të realitetit në terren, për shkak të mungesës së dokumentimeve teknike të kritereve që duhet të përmbushen”,
thekson Herbickova.

Ambasadorja Herbickova konsideron se institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë me të gjithë faktorët relevantë, në mënyrë që anëtarësimi të mos vonojë.

“Institucionet duhet të punojnë me ne. Por, është vështirë, sepse për shembull kur bëhet fjalë për doganat, ajo menjëherë shndërrohet në çështje politike”.

“Nuk mund të kemi vetëm çështje teknike këtu, sepse duhet ta shohim dhe kuptojmë realitetin, ngase disa çështje teknike, që kanë qenë vetëm teknike, në rastin tonë, në rastin tuaj nuk janë vetëm teknike”,
thotë Herbickova, duke shtuar se duhet pasur durim, por edhe ide të ndryshme për të parë se kah duhet shkuar.

Por, sipas saj, kjo nuk mund të bëhet vetëm. Idetë duhet të dalin nga Kosova, sepse Kosova e di më së miri se në çfarë rruge duhet të shkohet.

Nga ana tjetër, edhe eksperti për integrime evropiane, Fatmir Curri, thekson se Kosova në aspektin e përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të punojë shumë.

Sipas Currit, në institucionet e Kosovës ende mungon vullneti politik në këtë drejtim.

“Sado që është proces teknik, mungon vullneti politik dhe sidomos mosnjohja e pesë vendeve na ka shkaktuar telashe. Dhe, me rastin e vizave, është hapi i parë ku ne po ballafaqohemi me marrëveshjet kontraktuale, të cilat nuk mund t’i nënshkruajmë me Unionin Evropian, si i tillë, si 27 vende anëtare”, thekson Curri.

Përveç krijimit të një strategjie konkrete për integrim, sfidat më të mëdha për t’i përmbushur kriteret drejt anëtarësimit në BE, sipas ekspertëve, janë edhe zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit.

Curri konsideron se Kosova duhet të plotësojë edhe kritere të tjera.

“Janë siguria e dokumenteve, paraqitja e pasaportave biometrike, menaxhimi i integruar i kufijve, e shumë kritere të tjera”, sqaron Curri.

Ndryshe, udhëheqës të institucioneve kosovare shprehin bindjen se Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, duke u zotuar se përmbushja e kushteve për këtë proces do të vazhdojë të jetë prioritet i mekanizmave kosovarë.
XS
SM
MD
LG