Ndërlidhjet

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe ata nga radhët e partive opozitare thonë se institucionet e rendit kanë reaguar me vonesë në rastin "Bllaca”. Por, autoritetet policore thonë se kanë ndjekur procedurat përkatëse.


Pothuaj një javë pas paraqitjes publike të Nazim Bllacës, i cili tha se “nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në një vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale”, reagimet vazhdojnë si nga vetë institucionet, ashtu edhe nga subjektet politike.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thekson se ka pasur një paqartësi mbi aspektet procedurale në lidhje me administrimin e rastit. Nazim Bllaca është lënë i lirë më shumë se 24 orë pasi që ka deklaruar se ka marrë pjesë në vrasje. Krasniqi thotë se është dashur të reagohet më shpejt.

“Është fjalë e rëndë të përdoret termi ‘dështim’, por ajo çka duhet të ndodhë, është një analizë e tërë situatës, sepse ka pasur hapësirë që disa hapa të merren më në kohë dhe më shpejt dhe të ketë një menaxhim më efikas të disa aspekteve të kësaj çështjeje”.

“Por, ne presim që institucionet e rendit dhe të drejtësisë t’i kryejnë obligimet e veta karshi përgjegjësive ligjore dhe institucionale që i kanë, në mënyrë që ky rast të zbardhet deri në fund dhe çdo implikim që ka të bëjë me këtë rast, të hetohet në mënyrë të thuktë dhe të nxirren përfundimet për të sqaruar këtë rast”,
thotë Krasniqi.

Në anën tjetër, i ashpër në kritikat ndaj autoriteteve të rendit qe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai thotë se si pasojë e reagimit të vonuar, është dëmtuar Kosova.

“Do të ishte fotografi e mirë për Kosovën që pas deklarimit të zotit Bllaca, një zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili e identifikon veten në radhë të parë kush është, (pastaj) i tregon zotërisë dhe i kërkon legjitimim...”.

“Po të dilte storia me deklarimet e z. Bllaca dhe një storie se si pjesëtar i Policisë së Kosovës e legjitimoi z. Bllaca dhe e ftoi në bisedë të mëtejme, ne kishim fituar si Kosovë”.

“Kjo ka qenë një gabim i madh. I është bërë dëm Kosovës dhe është një temë e ndjeshme dhe në momente të ndjeshme për Kosovën, jo të lehta për proceset që i ka Kosova”,
shprehet Haradinaj.

Por, Policia e Kosovës nuk pajtohet me këto deklarime. Sikurse edhe në ditët e para pas paraqitjes së Bllacës, edhe tani, Policia thotë se ka ndjekur procedurat përkatëse. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se arrestimi nuk ka mundur të ndodhë, meqë çështja ka qenë në duar të prokurorisë së EULEX-it.

“Kemi pasur kontakte të vazhdueshme si me prokurorinë speciale të EULEX-it, prokurorët vendorë... Kemi kërkuar që të ndërmerret ndonjë hap konkret në lidhje me shfaqjen publike të z. Bllaca”.

“Mirëpo, deri në ato momente, komponenti i EULEX-it është përgjigjur se ata janë duke hetuar rastin. Në momentin kur neve na është thënë që ai të shoqërohet në prokurori, ne kemi bërë shoqërimin e tij me policinë e EULEX-it dhe ai është sjellë para prokurorit”,
thekson Kelani.

Por, Haradinaj nënvizon se rasti “Bllaca” dallon dhe se arrestimi i tij ka qenë i domosdoshëm.

“Dallon, për shembull, dhënia e një deklarate në proces të caktuar të hetuesisë dhe deklarimi publik për të bëmat e caktuara. Kur ai kthehet në deklarim publik, organet e rendit publik janë të detyruara të ndërhyjnë, që do të thotë se janë dëmtuar procedurat ligjore dhe ndërhyjnë”, thotë Haradinaj.

Zyrtarë të qeverisë kanë kërkuar që politika ta lërë drejtësinë të thotë fjalën e vet në rastin “Bllaca”. Tashmë i akuzuar nga EULEX-i për vrasje dhe përfshirje në krim të organizuar, Nazim Bllaca, në dëshminë e tij, ka thënë se urdhra për vrasje ka marrë nga strukturat e SHIK-ut, disa nga emrat e të cilëve sot gjenden në strukturat e qeverisë apo udhëheqësisë së PDK-së.

Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se duke u bazuar në fakte, do të ketë hetime ndaj secilit.

“Ne kemi kërkuar që të bëhen të gjitha hetimet e mundshme, të bëhet një zbardhje e plotë e fakteve dhe unë besoj që kryeministri ka qenë i qartë për këtë. Ne, vendimet tona nuk i marrim duke u bazuar në shpifje politike, por i marrim duke u bazuar në të vërtetat e nxjerra nga proceset hetuese”, shprehet Krasniqi.

Në anën tjetër, Haradinaj, në një konferencë për gazetarë, kërkoi që të zbardhen të gjitha veprat kriminale që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës.

Një ditë më parë, në një deklaratë të përbashkët, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kërkuan një gjë të tillë, por, njëkohësisht, kërkuan “distancimin e plotë të politikës nga gjyqësia dhe transparencë të nevojshme të mbështetur në ligj”.

Nazim Bllaca, me vendim të një gjykatësi të EULEX-it, aktualisht gjendet në arrest shtëpiak njëmujor. EULEX-i, në anën tjetër, ka bërë të ditur se nuk do të japë asnjë informacion në rastin Bllaca për hir të, siç është thënë “konfidencialitetit të hetimeve”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG