Ndërlidhjet

Amerikanët, po izolacionizmit dhe unilateralizmit

  • Heather Maher

Një anketë e fundit tregon se shumica dërrmuese e amerikanëve duhet të kujdesen për problemet e veta, kur vjen puna te politika ndërkombëtare.


Këtë ndjesi e ilustron dhe vetë emri që qendra e hulumtimeve “PJU”, u ka vënë rezultateve të anketës, “Ndjenja e izolacionizmit më e lartë në katër dekadat e fundit”.

Dyzetenëntë për qind e të anketuarave janë të mendimit se Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë larg problemeve të të tjerëve dhe t’i lënë shtetet e tjera t’i zgjidhin shqetësimet e tyre brenda mundësive që kanë.

Kjo shifër është më e larta në 40 vjetët e fundit dhe përfaqëson një rritje prej 30 për qind, krahasuar me shtatë vjet më parë.

Endrju Kohut, drejtor i qendrës “PJU”, thotë se kjo është një rritje e jashtëzakonshme e izolacionizmit, por që ka dhe shpjegimin e vet.

“Kjo mund të shpjegohet me faktin se publiku amerikan fokusohet në gjendjen e keqe të ekonomisë, por edhe ndihet keq me situatën aktuale në botë. Janë dy luftëra, për të cilat publiku mendon se nuk po shkojnë mirë, shqetësimet për terrorizmin janë edhe më të mëdha se sa ishin katër vjet më parë. Në këtë kuptim, publiku amerikan ndihet shumë i lidhur me pjesën tjetër të botës”, sqaron Kohut.

Paralelisht me rritjen e ndjesisë së izolacionizmit, në mesin e amerikanëve është rritur ndjeshëm dhe unilateralizmi.

Dyzetekatër për qind e amerikanëve, shkalla më e lartë kjo në 45 vjetët e fundit, thonë se, “ngaqë Shtetet e Bashkuara janë vendi më i fuqishëm në botë, duhet të veprojnë sipas mënyrës së vet në çështjet ndërkombëtare, pa u shqetësuar nëse shtetet e tjera janë dakord, apo jo”.

Anketa më e fundit tregon dhe mungesën e entuziazmit të opinionit të gjerë lidhur me politikat e jashtme të Obamës, veçanërisht atë ndaj Afganistanit.

Tridhjetedy për qind e të anketuarve mendojnë se duhet rritur prania amerikane në Afganistan, derisa 40 për qind mendojnë se duhet ulur numri i trupave amerikane në këtë vend.

Po kështu, ka njohur rritje dhe shkalla e dyshimit në mesin e opinionit rreth vlerës së kësaj lufte.

Xhejms Lindsei, drejtor i studimeve në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se rezultatet e anketës paraqesin problem për Obamën, në kohën kur ai ka vendosur të thellojë praninë amerikane në Afganistan.

“Parashikimi im është se, për sa kohë publiku dhe opinionbërësit janë të bindur se nuk mund ta zgjidhin problemin e Afganistanit, atëherë do të jetë shumë e vështirë të ruhet një mbështetje e gjerë për përfshirjen në Afganistan”, thotë Lindsei për Radion Evropa e Lirë.

Një tjetër element i rëndësishëm ka të bëjë me faktin se publiku amerikan shikon një rol në rritje të Kinës në planin global, kjo veçanërisht ka të bëjë me ekonominë botërore.

Rritja e fuqisë ekonomike të Kinës shihet si diçka e frikshme për amerikanët. Pesëdhjetetre për qind e amerikanëve besojnë se Kina paraqet kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, Kohut shton se amerikanët nuk e shohin Kinën në dritë negative, vetëm i tremben rritjes së saj ekonomike.

“Mendoj se në një kohë kur publiku e ndjen se Kina i ka tejkaluar ekonomikisht Shtetet e Bashkuara, derisa njerëzit nuk ndihen mirë lidhur me gjendjen e ekonomisë amerikane, nuk është e palogjikshme që të arrijnë në përfundimin se Kina paraqet kërcënim”, sqaron Kohut nga qendra “PJU”.

Kjo e fundit ka klasifikuar dhe tri elementet që më së shumti i tremben amerikanët. Ato janë grupet terroriste si Al Kaida, programi bërthamor i Iranit dhe paqëndrueshmëria ekonomike.

Nga ana tjetër amerikanët nuk e shohin Rusinë si armik, thotë Kohut.

“Rusia me kalimin e viteve duket se është zhvlerësuar si kërcënim në sytë e publikut amerikan.”

Një tjetër gjetje interesante e anketës ka të bëjë dhe me teknikat, e cilësuar si torturë gjatë procesit të marrjes në pyetje.

Presidenti Obama ka deklaruar se gjatë presidencës së tij nuk do të përdoren teknika të tilla. Por, amerikanët mendojnë se në disa raste përdorimi i këtyre teknikave është i justifikuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për të dyshuarit për terrorizëm. Këtë mendim e ndajnë rreth 54 për qind e amerikanëve. (I.B.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG