Ndërlidhjet

logo-print

Interesimi i investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë, gjatë këtij viti ka shënuar rënie, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, edhe pse Kosova ka sektorë të mjaftueshëm për investime, problemet e shumta dhe shkalla e lartë e korrupsionit, kanë ndikuar që investitorët e huaj të mos e shfrytëzojnë kapitalin e tyre në Kosovë.




Trendi i investimeve të huaja në Kosovë gjatë këtij viti, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, nuk është inkurajues.

Ata theksojnë se, me gjithë hapësirat e mjaftueshme për investime, barrierat e shumta në këtë sektor, i kanë bërë investitorët e huaj të hezitojnë që kapitalin e tyre ta shfrytëzojnë në Kosovë.

Lekë Musa, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se me gjithë dëshirën e institucioneve vendore për tërheqjen e investitorëve të huaj, ata nuk kanë pasur mundësi që një gjë të tillë ta realizojnë në praktikë.

“Këtu janë dy dobësi. Dobësia e parë është se krijohet në fillim një burokraci e madhe, një legjislacion i tepërt. Ndërsa, në anën tjetër, pasi të hyhet në aktivitet, ekziston një mungesë e sforcimit të ligjeve për rregullimin e tregut dhe në këtë rast krijohet hapësirë për një konkurrencë jo të drejtë”, thotë Musa.

Edhe Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, nuk është i kënaqur me nivelin e investimeve të huaja në Kosovë.

Edhe pse mungesën e investitorëve e arsyeton me krizën globale financiare, megjithatë ai shprehet se në këtë segment Kosova duhet ta forcojë shtetin ligjor.

“Të funksionojë një sistem i pavarur i gjyqësisë dhe ajo që ka rëndësi të madhe, është ajo që të japim sinjale që jemi duke u kacafytur me korrupsionin. Do të thotë me politika ekonomike jemi duke i adresuar çështjet më kritike të zhvillimit të biznesit”, shprehet Sadiku.

Por, problem me ndikim në këtë fushë, Lekë Musa thekson se është edhe shkalla e lartë e korrupsionit në të gjitha institucionet kosovare.

“Sipas të gjitha analizave ekonomike të vendeve në tranzicion, shihet direkt se korrupsioni ka efekt jashtëzakonisht të madh largues për investitorët e huaj, sidomos e kam fjalën për korporata serioze”.

“Ato, përfundimisht, janë të frikësuara të investojnë në ato vende ku ekziston tendenca se ka një nivel të lartë të korrupsionit. Do të thotë, efekti është jashtëzakonisht i madh”,
thekson Musa.

Ndërkaq, Muhamet Sadiku përmend edhe një numër problemesh, të cilat ndikojnë në zbehjen e imazhit të Kosovës karshi investitorëve potencialë, të cilët kanë synuar të vijnë në Kosovë.

“Kosova ende mbetet e izoluar nga korridoret ndërkombëtare të transportit dhe përmirësimi i energjisë elektrike. Dhe, në përgjithësi, unë mendoj se zhvillimi i demokracisë dhe forcimi i institucioneve të ekonomisë së tregut janë korniza e asaj që Kosovën mund të bëjnë destinacion të investimeve të jashtme”, vlerëson Sadiku.

Ndryshe, në raportin e fundit të përgatitur nga Banka Qendrore e Kosovës, thuhet se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, investimet e huaja kanë rënë për 30 për qind.

Por, zyrtarë të Qeverisë, tashmë, kanë deklaruar se pavarësisht faktit se investimet kanë shënuar rënie, sipas tyre, është rritur dukshëm interesimi i investitorëve të huaj për ambientin investues në Kosovë. Vetëm gjatë këtij viti mbi 180 përfaqësues të kompanive huaja e kanë vizituar Kosovën.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG