Ndërlidhjet

Zyrtarisht, të shtunën, filloi fushata zgjedhore për balotazhin e 13 dhjetorit për kryetarë të 21 komunave, në të cilat në zgjedhjet e 15 nëntorit, asnjë prej kandidatëve nuk arriti të marrë mbi 50 për qind të votave. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se përgatitjet janë bërë me kohë. Kurse, analistët nuk presin diçka të veçantë nga balotazhi.





Partitë politike në Kosovë hynë edhe në një raund tjetër të fushatës parazgjedhore në garën e balotazhit për kryetar komune. Ky raund i fushatës parazgjedhore do të zgjasë deri më 11 dhjetor.

Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se me kohë i kanë bërë përgatitjet e duhura për balotazh.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, thotë se krahas përgatitjeve të tjera pas raundit të parë, janë bërë edhe përgatitjet për balotazh.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përgatitjet për balotazh paralelisht me punët e tjera, të cilat i kemi pasur pas raundit të parë. Këto përgatitje kanë qenë sadopak më të lehta, se sa për raundin e parë”
, thotë zonja Lushta.

Lushta thekson se shumë shpejt pritet të emërohen anëtarët e këshillave të vendvotimeve. Ajo, gjithashtu, sqaron se shpejt do të vijnë edhe fletëvotimet, të cilat janë shtypur jashtë Kosovës.

“Do t’i emërojmë së shpejti këshillat e vendvotimeve, pasi të na vijnë emërimet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për ato vendvotime, të cilat kanë qenë të anuluara nga KQZ-ja, ose nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Dhe, shpejt presim që të vijnë edhe fletëvotimet e shtypura për raundin e dytë, për kryetar të komunave”,
shpjegon Lushta.

Ndërkaq, analistët politikë konsiderojnë se fushata parazgjedhore për balotazh nuk do të sjellë diçka të veçantë.

Analisti Halil Matoshi konsideron se gara për zgjedhje në balotazh është një kopje e zbehtë e fazës së parë të zgjedhjeve lokale.

“Jo që do të ketë ndryshim, por madje do të jetë një garë shumë më e zbehtë se fushata paraelektorale për zgjedhjet e 15 nëntorit. Madje, kjo fushatë do të jetë shumë më e qetë, shumë më e heshtur dhe nuk do të sjellë absolutisht asgjë të re”,
thekson Matoshi.

Zhvillimet e fundit, të cilat kanë ndodhur në vend, duke aluduar në qëndrushmërinë e koalicionit dhe rastin “Bllaca”, për Matoshin do të jenë pjesë e kësaj fushate për partitë që kanë hyrë në garë.

“Duket qartë se Partia Demokratike e Kosovës do të jetë e dëmtuar. Futet në këtë garë e dëmtuar. Dhe, këtë sigurisht që subjektet tjera do të përpiqen që ta shfrytëzojnë në favor të vetin. Kjo është ajo që mund të përshkruhet për atë që mund të ndodhë gjatë këtyre ditëve”,
vlerëson Matoshi.

Në garë për balotazh janë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Lidhja Demokratike e Dardanisë, një kandidat i pavarur dhe dy kandidatë nga subjektet politike serbe.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 13 dhjetor, në 21 komuna.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG