Ndërlidhjet

Dokumenti strategjik për punësim të qëndrueshëm, i cili pritet të fillojë të zbatohet në janar të vitit 2010, sipër përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të zbusë papunësinë në Kosovë. Megjithatë, ekspertë të ekonomisë e hedhin poshtë këtë, duke thënë se papunësia nuk mund të zbutet me projektet për punësim.




Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë është alarmuese dhe, aktualisht, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, është pesë herë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, kjo gjendje ekzistuese, siç thonë ata, mbetet sfidë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Eksperti për çështje ekonomike, Isa Tahiri, thotë se për zbutjen e papunësisë në Kosovë duhet të bëhet një zhvillim rigoroz i sektorit privat.

“Qeveria, për të arritur qëllimin e punësimit më të shpejtë dhe më të madh në kuadër të Kosovës, duhet t’i ketë disa prioritete: si për bazë duhet të marrë uljen e formave të tatimeve për disa biznese të reja, të bëhet verifikimi dhe ndalimi i të gjitha formave të punësimit të atyre që janë pa letra dhe të atyre, të cilët punojnë në disa vende”, thotë ai.

Ndërkohë, autoritetet kosovare thonë se kanë hartuar një strategji për punësim të qëndrueshëm.

Këshilltari në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gagjiqi, thotë se gjatë vitit 2010 do të ketë zbutje të nivelit të papunësisë në Kosovë.

“Dokumenti strategjik për punësim të qëndrueshëm, është një dokument i hartuar nga ekspertët vendorë dhe në bashkëpunim me konsulentët e Bankës Botërore. Në këtë dokument është punuar qe disa muaj”.

“Ky dokument përfshin periudhën tre vjeçare, ku çdo vit do të përfitohen 20 milionë euro. Për vitin 2010 nga ky grant i Bankës Botërore kemi përfituar dy milionë e 350 mijë euro për projektet që do të realizohen gjatë vitit 2010”,
thotë Gagjiqi.

Në bazë të statistikave të MPMS-së, mbi 40 për qind e popullatës të aftë për punë janë të papunë, megjithëse zyrtarët e kësaj ministrie thonë se mungojnë informacionet e sakta, duke pasur parasysh se në Kosovë nuk ka regjistrim të popullsisë.

Mosha mesatare e të papunëve është 18-35 vjeç, shumica prej të cilëve konsiderohet të jenë të pakualifikuar, gjë që sipas zyrtarëve të ministrisë vështirëson edhe më shumë mundësinë e punësimit të tyre në të ardhmen.

“Patjetër që do të ketë zbutje të shkallës së papunësisë në vitin 2010. Projektet për punësim do të realizohen gjatë vitit 2010. Janë ndarë grante dhe në bazë të kësaj janë bërë planifikimet, ndërsa veprimet do të bëhen nga janari i vitit 2010”, shprehet Gagjiqi.

Sipas shifrave zyrtare, mbi 330 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën, ndërkaq mbi 25 mijë të papunë çdo vit hyjnë në tregun e punës.

Po sipas këtyre shifrave, 48 për qind e të regjistruarve janë femra, ndërkaq mbi 60 për qind e të regjistruarve si të papunë, i referohen nivelit të pakualifikuar.

Ndërkohë, eksperti për çështje ekonomike, Isa Tahiri, thotë se për të pasur një zhvillim ekonomik në një afat të shkurtër kohor, Kosovës i nevojiten investime në kapacitetet bujqësore, në përpunim të ushqimit, miniera, industri dhe energjetikë.

“Të gjitha format më të mira të punësimit dhe nivelit më të lartë në Kosovë arrihen përmes aktivizimit të agrobiznesit, bujqësisë, vreshtarisë, blegtorisë etj.”, sqaron Tahiri.

Ndryshe, Raporti i Paralajmërimit të Hershëm i publikuar nga UNDP-ja në nëntor të këtij viti kishte paralajmëruar që papunësia është rrethana kryesore që cenon stabilitetin e vendit.

Rezultatet e këtij raporti tregojnë që nevojat sociale dhe ato ekonomike janë brengat kryesore të qytetarëve për këtë vit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG