Ndërlidhjet

Vonesat për fillimin e ndërtimit të autostradës Vërmicë- Merdar, autoritetet kosovare i arsyetojnë me çështje teknike, duke përfshirë edhe përgatitjen e legjislacionit për shpronësim. Duke marrë parasysh ecurinë e deritashme të këtij procesi, projekti më madhor i Kosovës, nuk do të fillojë sivjet.


Zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, bëjnë të ditur se shtatë kompanitë e parakualifikuara për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, i kanë dorëzuar ofertat e tyre në fillim të kësaj jave.

Zëvendësministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Adem Grabovci, thotë se komiteti ndërministror, së bashku me ekspertët e kompanisë konsultuese “Eversheds”, do të bëjnë shqyrtimin e ofertave dhe më pas përzgjedhjen e kompanisë që do të fillojë realizimin e projektit.

“Nuk mund të them saktësisht se sa do të zgjasë kjo procedurë, sepse komisioni vlerësues do të ketë punë shumë të madhe, pasi që ofertat janë shumë voluminoze dhe duhet të bëhet vlerësimi i çdo oferte dhe çdo dokumentacioni veç e veç dhe kjo, me siguri, se do të marrë pak kohë”, thekson Grabovci.

Në bazë të procedurave të prokurimit, do të duhet një muaj kohë që të zgjidhet fituesi. Kjo lë të kuptosh se ndërtimi i autostradës së parë në Kosovë, Vërmicë - Prishtinë, nuk do të fillojë gjatë këtij viti, ashtu siç patën thënë autoritetet kosovare.

Kompanitë që kanë ofertuar për ndërtimin e autostradës janë: kompania "Alpine" nga Austria, konzorciumi amerikano-turk “Bechtel Enka”, që e ka ndërtuar edhe autostradën Durrës-Morinë, pastaj kompania "Makyol" nga Turqia, “Pizzaroti” nga Italia, “Porr” dhe “Strabag” nga Austria dhe "Terna" nga Greqia.

Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave njoftojnë se ka nisur procesi i shpronësimit të tokave përgjatë autostradës, fillimisht në segmentin Vërmicë-Prizren.

Bëhet e ditur se kanë filluar procedurat e shpronësimit për rreth 600 prona në segmentin e parë.

Zëdhënësi MEF-it, Muharrem Shahini, thotë se kanë përfunduar edhe dëgjimet publike me pronarë të 13 zonave kadastrale dhe tani është duke u shikuar afati për dorëzimin e ankesave.

“Vlerësimi i pronave për t’u përcaktuar shuma e kompensimit, tashmë ka filluar, është në proces dhe ende nuk ka përfunduar. Për këtë vit janë ndarë nga buxheti pesë milionë euro për çështjet e shpronësimeve, shtatë milionë euro janë të parapara për vitin 2010 dhe po aq për vitin 2012”, shpjegon Shahini.

Shpronësimin e tokave, nëpër të cilat pritet t’i bie autostrada, e shohin si problem edhe për ekspertët e ndërtimtarisë. Një gjë të tillë e pohon edhe Selman Buçolli, ekspert i ndërtimtarisë.

“Çështja administrative financiare është shpronësimi i tokave. Aty kah i bie autostrada, ka prona të kombinuara publike dhe private, por më shumë ka private. Ato prona private duhet të kompensohen”, thotë ai, duke shtuar se kjo mund ta vonojë fillimin e punimeve.

Ndërkohë, kostoja e autostradës nuk dihet ende dhe sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit, kjo është çështje e ofertës së kompanive.

Por, sipas një vlerësimi të bërë në vitin 2006, kostoja e projektit ishte paraparë të jetë rreth 700 deri në 800 milionë euro. Ndërkaq, kompania konsultuese i ka rekomanduar Qeverisë që rruga, pas ndërtimit, të jetë me pagesë.

Ndryshe, autostrada e Kosovës, ka një gjatësi prej 117 kilometrash.

Sipas të dhënave të Ministrisë, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna dhe me asfalt do të mbulohen 1.062 hektarë tokë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG