Ndërlidhjet

Shpresat nga samiti i Kopenhagës

  • RFE /RL

Samiti për ndryshimet klimatike i Kombeve të Bashkuara fillon të hënën në Kopenhagë. Gjatë 12 ditëve pritet të gjendet një strategji për të shmangur rritjen e ndotësve që do të shkaktojnë ngrohjen globale.


Samiti për ndryshimet klimatike i OKB-së që fillon të hënën në Kopenhagë, ka edhe elemente të një melodramë fantastiko-shkencore.

Është një takim global me qëllim të arritjes së një strategjie që t’i shmangemi kërcënimit të gjithë planetit Tokë.

Ky rrezik, sipas shkencëtarëve, është duke u rritur dhe duke u afruar në secilën dekadë.

Sipas përllogaritjeve të Kombeve të Bashkuara, nëse emisionet e karbonit vazhdojnë të rriten si deri më tani dhe nëse dyfishohen krahasuar me nivelin para-industrial, bota do të ballafaqohet me rritje të temperaturave për 3 gradë celsius gjatë këtij shekulli.

Kjo, gjithashtu, do të ndikojë në ndryshime të shumta klimatike, siç janë stuhitë dhe thatësirat.

Në të njëjtën kohë do të rriten edhe nivelet e deteve, duke vërshuar pjesët bregdetare dhe qytetet për rreth.

Për ta parandaluar këtë skenar të zymtë, liderë dhe shkencëtarë botërorë tubohen në Kopenhagë me të vetmin qëllim: të sigurohet që maksimumi i rritjes së temperaturave gjatë dy dekadave të ardhshme, të mos kalojë më shumë se 2 celsius.

“Ne nuk mund të negociojmë kundër ligjeve të natyrës, kundër shkencës. Ajo që shkenca na thotë është se rritja maksimale e temperaturës prej 2 gradë celsius mund të jetë e pranueshme në rast të rritjeve globale të temperaturave”,
tha kryetari i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, në fjalimin e tij gjatë muajit të kaluar në Pekin.

Sfida madhore në Kopenhagë do të jetë që vendet e zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina, të pajtohen rreth kufizimit të konsiderueshëm të emetimit të gazrave gjatë dekadës së ardhshme.

SHBA dhe Kina do të vëzhgohen nga afër, sepse që të dyja kanë nënshkruar Protokollin e Kjotos, i cili skadon në vitin 2012.

Që të dyja këto vende janë ndotësit më të mëdhenj në botë, duke emetuar rreth gjysmën e dioksid karbonit.
Pekini dhe Uashingtoni vullnetarisht kanë paraqitur qëllimet e tyre të kufizimit të emetimit.

Qeveria amerikane ka premtuar se deri në 2012-ën do të shkurtojë 17 për qind të nivelit të emetimit të gazrave serë, krahasuar me vitin 2005.

Por, ligji që e lejon Uashingtonin të bëjë këto shkurtime, është i bllokuar në Kongres dhe nuk do të mund të procedohet deri në ardhjen e Obamës në Kopengahë.

Kina ka premtuar që deri në 2020 të ulë përqindjen e emetimit të gazrave për 40-45 për qind, krahasuar me nivelet e vitit 2005.

Në samit do të marrin pjesë edhe qindra mijëra pjesëtarë të OJQ-ve, grupeve të ndryshme dhe të mediave.

Të enjten, Qeveria e Nepalit mbajti takimin e kabinetit në një bazë afër Mont-Everestit, majës më të lartë në botë.

Nepali druan se akullnajat e Himalajeve do të shkrihen shumë shpejt, duke rrezikuar furnizimin me ujë të një pjese të konsiderueshëm të rajonit.

“Këtu duhet që e tërë bota të mblidhet dhe ta zbusë këtë problem, prandaj ne duam ta tërheqim vëmendjen e botës. Ngrohja globale ka ndikuar negativisht në ekzistencën njerëzore”,
tha kryeministri Madhav Kumar.

Çështjet që priten të dalin nga samiti i Kopenhagës, janë arritja e marrëveshjes për zvogëlimin e emetimit të gazrave dhe niveli i kufizimit të tyre.
XS
SM
MD
LG