Ndërlidhjet

Komuna e Leposaviqit, në nëntor mbajti dy palë zgjedhje lokale-një palë të rregullta, tjerat ilegale për institucionet e vendit. Në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, fitoi AAK-ja, e në ato serbe-partia e presidentit serb, Tadiq.



Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 15 nëntorit, komunën më veriore të Kosovës, Leposaviqin, do ta drejtojë Ardita Hasani, kandidate e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, zgjedhjet e parakohshme, ilegale për institucionet e Kosovës, që qeveria serbe mbajti në këtë komunë më 30 nëntor, nxorën fituese Partinë Demokratike të presidentit serb, Boris Tadiq.

Pra, kush do ta drejtojë Leposaviqin?

Ardita Hasani ende nuk e ka nisur punën. Ajo është kontaktuar nga zyrtarë të OSBE-së, për të mësuar se çfarë planesh ka. Por, s’ka marrë asnjë udhëzim nga institucionet e Kosovës.

“Kam biseduar me OSBE-në në Mitrovicë. Kam pasur tri takime. Kemi biseduar se kur do të shkoj në Leposaviq, apo kur do ta hapi zyrën. Më kanë pyetur: a je e guximshme të shkosh. Unë kam thënë se po, do të shkoj në Leposaviq, por zyre nuk mund të hap në Leposaviq, por do ta hap në shkollën fillore në Bistricë të Shalës”, shprehet Hasani.

Në të vërtetë, Bistrica e Shalës, Koshtova dhe Ceraja janë fshatrat e vetme të banuara me shqiptarë në komunën e Leposaviqit, që ka mbi 18 mijë banorë.
Mbi 60 fshatrat tjera të kësaj komune banohen nga komuniteti serb. Në këtë komunë jeton edhe një numër i vogël i boshnjakëve dhe romëve.

Bojkotimi i plotë i zgjedhjeve të 15 nëntorit nga komuniteti serb i Leposaviqit, i ka mundësuar fitoren Ardita Hasanit, e cila nuk ka pasur fare kundërkandidat.

Por, Hasani nuk është e sigurt se si do të pritej në Leposaviq.

“Unë jam e guximshme të shkoj, mendoj se do të shkoj, por sa do të jetë mirëpritja, nuk e di”, thotë Hasani.

Institucionet e Kosovës nuk janë deklaruar ende se si do të udhëhiqen tri komunat veriore, të fituara nga kandidatët shqiptarë me një numër tepër të vogël të votave.

Situatë e njëjtë ka qenë edhe pas zgjedhjeve të 2007-ës. Atëbotë, kreu i UNMIK-ut emëroi me vendim politik kryetarët serbë të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut.

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të qeverisë serbe nuk i ndalin investimet në këtë rajon, ku ushtrojnë funksionin ende strukturat paralele serbe.

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, thotë se dalja në zgjedhjet e 30 nëntorit, të organizuara nga qeveria serbe, dërgoi porosi të qartë se serbët u besojnë institucioneve shtetërore të Serbisë.

“Ne, edhe më tej do të merremi me këto hapësira, do të kujdesemi për të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, sepse ky është interes bazik i qeverisë sonë”.

“Duhet të kujdesemi, sepse në Leposaviq është një përqendrim i madh i njerëzve, sepse në këtë komunë banojnë 40 për qind e banorëve, që jetojnë në veri të Kosovës dhe obligim i kësaj qeverie dhe i shtetit është që të kujdeset më tepër për këta njerëz”
, thekson Bogdanoviq.

Banorë të kësaj komune janë edhe mbi 200 shqiptarët që jetojnë në tri fshatrat, që gjenden në pjesën jugore.

Por, Mursel Murseli nga Koshtova thotë se e vetmja ndihmë u vjen nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.

Murseli thotë se asnjëherë nuk janë vizituar nga udhëheqësit komunale serbë, përderisa jeta në Koshtovë dhe dy fshatrat tjera, siç thotë ai, është shumë e vështirë.

“Për momentin këtu nuk ka perspektivë, sepse punësim nuk ka, kushtet për jetë janë mjaft të vështira për shkak të udhëtimit, pasi nuk është udhëtim i rregullt, që të shkojnë nxënësit në shkollë, apo punëtorët në punë”.

“Kisha dashur që qeveria të bëjë më tepër për këtë vend, së pari infrastrukturën ujësjellësin, apo të hapë ndonjë fabrikë të vogël”
, shprehet Murseli.

Pjesa veriore e Kosovës është jashtë kontrollit të institucioneve qendrore tash dhjetë vjet. Kontrolli nuk ka mundur të shtrihet as nga administrata e UNMIK-ut.

Me gjithë premtimet e shumta të udhëheqësve të institucioneve për shuarjen e strukturave paralele, janë në të vërtetë këto struktura, që vazhdojnë ta udhëheqin këtë pjesë të Kosovës.
XS
SM
MD
LG