Ndërlidhjet

Kopenhagë: Konferencë historike mbi klimën



Në Kopenhagë u hap konferenca që konsiderohet më e madhe në histori për ndryshimet klimatike.

Gjatë 12 ditëve të ardhshme, përfaqësues nga 192 vende do të bisedojnë për reduktimin e emisioneve të karbonit dhe ndërtimin e mekanizmit për të kanalizuar ndihmën te vendet e varfëra, që ato të mund ta reduktojnë ndotjen, dhe të mbrohen nga thatësirat, përmbytjet dhe rritja e nivelit të detrave e shkaktuar nga ngrohja globale.

Kryeministri i Danimarkës, Lars Loke Rasmusen tha se ndryshimi i klimës i prek të gjithë.

Ngrohja globale nuk njeh kufij, ajo nuk bën dallime, na prek të gjithëve. Prandaj, sot jemi mbledhur këtu sepse të gjithë jemi të përkushtuar që të ndërmarrim veprime”, tha Rasmusen.

Më shumë se 100 shefa të shteteve apo qeverive kanë thënë se do të marrin pjesë në ditët përfundimtare të konferencës.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, u shpreh optimist se konferenca do të rezultojë me një marrëveshje.

Qëllimi final i tubimit është një pakt, i cili do të hyjë në fuqi prej vitit 2013 kur skadon Konventa Kornizë e Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike, që njihet si Protokolli i Kjotos.

Sekretari ekzekutiv i konventës, Yv de Bor, kërkoi aksion të menjëhershëm nga pjesëmarrësit.

“Koha për deklarata formale ka mbaruar. Tash është koha për riaktivizimin e pozicioneve të njohura në të kaluarën. Ka ardhur koha për t’i zgjatur dorën njëri tjetrit”, tha de Bor.
XS
SM
MD
LG