Ndërlidhjet

Decentralizimi kushtëzon komunat në veri


Mitrovicë
Mitrovicë

Suksesi i përgjithshëm në krijimin e komunave të reja me shumicë serbe, në delegimin dhe zgjerimin e kompetencave në to, sipas zyrtarëve qeveritarë, do të ndodhë kur edhe veriu i Kosovës të përfshihet në procesin e decentralizimit.


Përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se delegimi i pushtetit në komunat me shumicë serbe nuk do të dallojë nga komunat tashmë ekzistuese në Kosovë.

Për këto komuna, përveç kompetencave të deleguara, janë paraparë dhe kompetenca të zgjeruara, që përfshijnë edukimin e nivelit të tretë, spitalet, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore - elemente këto që, sipas zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë, cilësohen si përfitime për komunitetin serb në kuadër të decentralizimit.

Sadri Ferati
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, e quan inkurajuese pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e fundit lokale në pjesën qendrore të Kosovës, por thekson se problematika kryesore mbetet veriu i Kosovës.

“Komuna veriore e Mitrovicës mund të jetë një produkt në drejtim të tejkalimit të situatës që e kemi, por problematika patjetër se është veriu. Problematikë janë edhe Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, që akoma nuk funksionojnë sipas sistemit unik dhe nëpërmjet improvizimit të qeverisjes me të ashtuquajturat struktura paralele, ata, de facto, po e varfërojnë jetën e qytetarëve”, thotë Ferati.

Deri në fund të procesit të decentralizimit pritet që në kuadër të përbërjes komunale të Kosovës të gjenden edhe 5 komuna me shumicë serbe.

Ky proces është shtyrë për komunën e re të Mitrovicës dhe komunën e re të Parteshit, ku kjo gjë është paralajmëruar të ndodhë deri në 6 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit.

Bajram Rexhepi
Veriu në tërësi, sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, do të ketë nevojë për trajtim më të kujdesshëm, sidomos kur bëhet fjalë për aspektin financiar.

Presim me të drejtë që këto komuna, të cilat funksionojnë për herë të parë, ta kenë ndihmën edhe të pushtetit qendror. Por, duhet edhe një fokus i veçantë i komunitetit të donatorëve që t’iu ndihmojmë dhe, përveç specifikave që i ka secila komunë, t’i kemi edhe disa ligje dhe rregulla unike, të cilat nuk do të krijojnë shumë sisteme të ndryshme”, thekson Rexhepi.

Mirëpo, ekspertët për decentralizim i shohin ndryshe të arriturat e institucioneve përgjegjëse për këto çështje.

Eksperti Arben Gashi flet për dështimin e nivelit qendror dhe të atij lokal, kur bëhet fjalë për Ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe procesin e decentralizimit në tërësi. Këtë gjë, sipas Gashit, e ka dëshmuar ndikimi i ulët dhe mungesa e qasjes së institucioneve kosovare në pjesën veriore të Kosovës.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka arritur që ta implementojë procesin e decentralizimit që e ka si obligim sipas Kushtetutës, sipas ligjeve vendore dhe sipas Pakos së Ahtisarit”,
shprehet Gashi, për të theksuar se as në komunat ekzistuese nuk ka ndodhur një delegim i mirëfilltë i kompetencave dhe në to, siç pohon ai, janë vërejtur ndërhyrjet e nivelit qendror.
XS
SM
MD
LG