Ndërlidhjet

Gjatë këtij viti, çmimet e produkteve ushqimore kanë shënuar rënie, përderisa në muajin tetor është ngritur çmimi i energjisë elektrike, çka ka bërë që inflacioni të rritet për 1.1 për qind. Sipas zyrtarëve të Entit të Statistikave të Kosovës, kjo përqindje është normale. Por, ekspertë të ekonomisë konsiderojnë se inflacioni në Kosovë ka ndikime të dyanshme.



Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, shkalla e inflacionit e muajit shtator, krahasuar me muajin tetor të këtij viti, është rritur 1.1 për qind. Kjo përqindje ka rezultuar pas ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike.

Ndërkaq, nga tetori i vitit të kaluar deri në tetor të këtij viti çmimi i disa produkteve ushqimore është ulur deri në minus 2.6 për qind.

Ilir Berisha, drejtor i departamentit të statistikave ekonomike në Entin e Statistikave të Kosovës, thotë se tashmë ekziston një situatë që çon drejt stabilizimit të gjendjes ekonomike në vend.

“Viti 2008 është karakterizuar me një shkallë të lartë të inflacionit. Ndërkaq, në vitin 2009 kemi një situatë drejt stabilizimit të çmimeve, të cilat zakonisht janë përcjellë me ndryshme mujore, me ulje të vazhdueshme. Po të krahasohet me majin e vitit 2002, që ne e kemi si bazë, ka një ngritje prej 10%”.

“Por, në përgjithësi, ndryshimet vjetore të muajve të 2009-ës krahasuar me muajt e 2008-ës kanë pasur një rënie të vazhdueshme”,
thotë Berisha.

Kjo përqindje, sipas Berishës, shpjegohet kryesisht për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

“Zakonisht në muajin tetor aplikohen tarifat dimërore dhe ishte një rritje prej 23.5%. Ky ndryshim i çmimeve më tepër ka të bëjë me një rritje të çmimeve zyrtare, sesa me një rritje të çmimeve që ka vepruar në kushtet e ekonomisë së tregut”, thekson Berisha.

Pavarësisht këtyre të dhënave, të cilat tregojnë se prej muajit janar deri në tetor ka pasur deflacion, ndërsa inflacioni është shënuar prej muajit tetor, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në Kosovë, kërkesa për blerje të mallrave dhe shërbime vazhdimisht po zvogëlohet.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se me këtë ngritje të inflacionit gjatë muajit të kaluar, efektet janë të dyanshme.

“Tregtarët, prodhuesit janë të detyruar që çmimet e produkteve të tyre mos t’i rrisin, por shpeshherë edhe t’i ulin në nivelin e tyre të mëparshëm, për t’i realizuar në tregun e Kosovës”.

“Do të thotë, problemi është i dyanshëm. Efektet janë pozitive për konsumatorët, por ka efekte negative te prodhuesit, të cilët destimulohen apo futen në një konkurrencë shumë më të ashpër me prodhuesit e jashtëm“,
thotë Bektashi.

Por, Ilir Berisha pohon se treguesi i inflacionit në Kosovë është normal.

“...sepse në kushtet e recesionit ekonomik, fillimisht ka një ulje të çmimeve, do të thotë ulje të kërkesës, ulje të parasë në treg. Ndërsa, kjo ngritje, edhe pse nuk është ngritje e ofertës dhe kërkesës, më tepër është ngritje e tarifave zyrtare, tregon se është një përafrim drejt një normaliteti në nivel të ekonomisë së vendit”, shprehet Berisha.

Ndryshe, sipas Entit të Statistikave të Kosovës, shkalla e inflacionit në vitin 2008, krahasuar me atë të vitit 2007, ka qenë 7.8%, rritje kjo që kishte ndikuar për shkak të rritjes së çmimeve të bukës dhe drithërave edhe në vende të ndryshme të rajonit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG