Ndërlidhjet

logo-print

Guardian: “Në Kopenhagë të ndryshojmë kahen e historisë”


Nëse nuk marrim veprime të fuqishme e të bashkërenduara, ndryshimet klimatike do të rrënojnë planetin, e bashkë me të dhe përparimin e sigurinë tonë.

Rreziku ka nisur të bëhet i qartë për një gjeneratë të tërë, derisa momentalisht faktet kanë nisur të flasin. 11 nga 14 vjetët e fundit kanë qenë më të ngrohtët që kur njerëzimi nisi të mbajë shënime rreth temperaturave.

Akujt e Arktikut nisën të shkrihen dhe vitin e kaluar çmimet e ushqimeve dhe të naftës arritën nivele rekord.

Në revistat shkencore tashmë pyetja nuk është ‘a duhet të fajësohet njeriu për ngrohjen globale, por sa pak kohë na ka mbetur për t’i kufizuar dëmet’. Deri tani, përgjigjja e njerëzimit ka qenë e gjymtë dhe me gjysmë zemre.

Ndryshimet klimatike janë shkaktuar nëpër shekuj, pasojat do të zgjasin përgjithmonë, derisa mënyra e veprimit tonë do të varet në 14 ditët e ardhshme.

U bëjmë thirrje përfaqësuesve të 192 vendeve të mbledhura në Kopenhagë të mos hezitojnë, të mos humbasin kohë në debate, të mos fajësojnë njëri-tjetrin, por të kapin momentin dhe mundësinë që ofrohet.

Kjo nuk duhet të jetë një betejë mes të pasurve dhe të varfërve, apo mes lindjes dhe perëndimit. Ndryshimet klimatike na prekin të gjithëve, ndaj duhet zgjidhur nga të gjithë.

Shkenca është komplekse, por faktet janë të qarta. Bota duhet të marrë masa të kufizojë rritjen e temperaturës me 2 gradë, një qëllim që kërkon që lëshimi i gazrave në atmosferë të fillojë të ulet në 5-10 vjetët e ardhshëm.

Një rritje më e madhe e temperaturave mesatare, në vlerë mesatare 3-4 gradë, do t’i kthejë në shkretëtira hapësirat që sot janë toka bujqësore.

Gjysma e gjallesave do të shfarosen, miliona njerëz do të zhvendosen, kombe të tëra do të mbulohen nga ujërat e deteve.

Pak janë ata që besojnë se në Kopenhagë do të kemi një pakt tërësor e të pastër.

Por, politikanët në Kopenhagë mund të bien dakord për elementët bazë të një ujdie të ndershme dhe efektive, ku përfshihen afate kohore të përcaktuara qartë e të detyrueshme.

Në thelb të marrëveshjes duhet të jetë dhe pakti se si duhet ndarë pesha e përballjes së ndryshimeve klimatike mes vendeve të pasura dhe atyre në zhvillim.

Vendet e pasura, duke iu referuar një artimetike korrekte, mund të thonë se nuk ka marrëveshje, derisa një gjigant në zhvillim e sipër si Kina të marrë përsipër hapa radikalë.

Por, bota e pasur duhet ta pranojë se është përgjegjësi e saj shumica e dioksidit të karbonit, të akumuluar në atmosferë që nga viti 1850.

Në këtë kuptim, vendet e zhvilluara duhet të marrin drejtimin, derisa vendet në zhvillim të bëjnë zvogëlim të madh të gazrave të lëshuara në atmosferë.

Drejtësia sociale kërkon që vendet e pasura të kruajnë xhepat e të japin sasi të konsiderueshme parash për vendet më të varfra që t’u përshtaten ndryshimeve klimatike, teknologjive të pastra dhe t’u lejojë atyre të rriten si ekonomi pa shtuar sasinë e dioksidit të karbonit në hapësirë.

Transformimi do të jetë i kushtueshëm, por asnjëherë nuk do të jetë më i shtrenjtë se paketat e ndihmave që iu paguan sistemit financiar për të dalë nga kriza.

Duhet të ndryshojmë dhe mënyrën e të jetuarit, duke ngrënë, blerë dhe udhëtuar në mënyrë më të mençur. Do të na duhet të paguajmë më shumë për energjinë që shpenzojmë, e të harxhojmë më pak energji.

Por, zvogëlimi i sasisë së dioksidit të karbonit ofron më shumë mundësi se sakrifica.

Disa vende vetëm e kanë parë se transformimi mund të sjellë rritje, vende të reja pune dhe një jetë më të mirë.

Politikanët në Kopenhagë kanë mundësinë t’i japin kahe gjykimit të historisë. Ne i nxisim të bëjnë zgjedhjen e duhur. (I.B.)
XS
SM
MD
LG