Ndërlidhjet

logo-print

BE: Në Kosovë është ruajtur stabiliteti



Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë vlerësuar sot në Bruksel se “në Kosovë është ruajtur stabiliteti, por situata e përgjithshme është e brishtë”, dhe se “sfidat kyçe ende mbeten” sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar.

Ministrat e Jashtëm e kanë “përshëndetur mbajtjen e qetë të zgjedhjeve lokale” dhe kanë theksuar “rëndësinë e madhe të zbatimit korrekt e të plotë të procesit të mbetur zgjedhor”.

Në dokumentin përmbyllës të takimit në Bruksel, thuhet se “sfida kyçe” në Kosovë gjithashtu janë “forcimi i kapaciteteve të administratës, mbrojtja e serbëve dhe pakicave tjera, e trashëgimisë fetare dhe kulturore si dhe dialogu dhe mikëkuptimi ndërmjet bashkësive”.

Ministrat e Bashkimit Evropain kanë theksuar pritjen që Prishtina të bashkëpunojë me EULEX-in dhe të sigurojë veprimin e këtij misioni në Kosovë.

Këshilli i ministrave të BE-së gjithashtu e ka përshëndetur deklaratën e Komisionit Evropian për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës, duke shprehur kënaqësinë nga propozimi që instrumentet e BE-së të përdoren për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës.

Nga Komisioni Evropian është kërkuar që të marrë masa për të mbështetur përparimin e Kosovës drejt BE-së, kurse i është “kushtuar kujdes tregtisë dhe vizave, pa i paragjykuar qëndrimet mbi statusin”.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e kanë “inkurajuar Komisionin Evropian që të mundësojë qasjen e Kosovës në programet e unionit, ta përfshijë Kosovën në kuadrin e mbikqyrjes ekonomike dhe tatimore, duke i zbatuar komponentat tjerë të programit IPA” për përkrahje të procesit të stabilizimit dhe asocimit të Ballkanit Perëndimor.
XS
SM
MD
LG