Ndërlidhjet

Normat e interesit mbesin të larta


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Normat e interesit për kredi nëpër bankat e Kosovës vazhdojnë edhe më tutje të mbesin të larta, thuhet në publikimin e fundit të Institutit për Hulumtime të Avancuara. Ndërkohë, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës potencojnë se nuk mund të ndikojnë në këtë çështje dhe se këto norma aplikohen në harmoni me ligjin e ofertës dhe kërkesës.


Pavarësisht kritikave të vazhdueshme për uljen e normave të interesit në kredi nga bankat komerciale në Kosovë, këto të fundit nuk e kanë bërë një gjë të tillë, thuhet në publikimin e fundit të Institutit për Hulumtime të Avancuara.

Përfaqësuesi i këtij instituti, Kushtrim Puka, thekson se nga hulumtimet e bëra, del se kamatat bankare për kredi janë shumë të larta dhe të papërballueshme për bizneset dhe qytetarët.

“Qëllimi ynë është për të ofruar një mekanizëm krahasues përmes tabelave krahasuese, ku bizneset dhe qytetarët mund t’i analizojnë dhe të shohin se cila u përshtatet më shumë nevojave të tyre”.

“Mirëpo, nuk kemi vërejtur rritje apo zvogëlim të normave të interesit, por ajo çka mund të themi, është se normat e interesit janë tepër të larta për shkak të arsyeve të shumta”,
thotë Puka.

I pyetur nëse mund të ekzistojë një marrëveshje mes bankave komerciale, që kamatat për kredi të jenë të përafërta, hulumtuesi në GAP, Kushtrim Puka, shprehet:

“Mund të ekzistojë, por ne nuk kemi fakte për një marrëveshje të tillë, prandaj nuk mund ta konfirmoj një gjë të tillë. Normat e tyre përafërsisht mund të jenë të njëjta, por ndryshojnë nga llojet e ndryshme të kredisë”.

“Kreditë nuk po ndryshojnë vetëm duke u bazuar në normat mesatare të interesit, mirëpo edhe në pikat e tjera shihen dallime të ndryshme mes ofertave”.


Instituti për Studime të Avancuara sugjeron institucionet shtetërore që së bashku me asociacionin e bankave të vlerësojnë se çfarë reformash duhet ndërmarrë, në mënyrë që të ulet kostoja e kredive, të përfitojë ekonomia dhe qytetarët, si dhe të mos lëkundet afarizmi i bankave.

Zëvendësguvernatori i mbikëqyrjes financiare, Nexhat Kryeziu, potencon se bankat komerciale, të cilat veprojnë në Kosovë, aplikojnë normat e interesit në harmoni me ligjin e ofertës dhe kërkesës dhe se norma e interesit, siç thotë ai, nuk diktohet nga Banka Qendrore e Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket asaj se pse këto norma janë të larta, Kryeziu shpjegon:

“Bankat komerciale e kanë të vështirë në kolektimin e kolateralit për shkak të defekteve që ka sistemi ynë juridik dhe pjesën që bie ta shtojmë mbi normën normale të interesit, e kalkulojnë edhe me rrezikun e sektorit të ekonomisë në Kosovë”.

“Nëse një kredi-marrës është i keq, banka komerciale e ka shumë vështirë ta mbarojë kolateralen”,
shprehet ai.

Kryeziu thotë së është mjaft e vështirë ulja e normave të interesit nga bankat komerciale edhe për shkak të procedurave buroktarike dhe mosaplikimit të standardeve që zbatohen në shtetet evropiane.

Ndërkohë, Virtyt Gacaferri, nga “TEB Banka”, thotë se këto norma të interesit për kredi janë rezultat i tregut, pra, siç thekson ai, janë rezultat i kërkesës dhe ofertës për financim.

“Në Kosovë funksionojnë disa banka, të cilat janë në konkurrencë me njëra- tjetrën. Çmimi i kredive në Kosovë është rezultat i tregut. Normat në ‘TEB Bankë’ janë konkurruese në treg dhe varësisht prej llojit të kredisë, ndryshon edhe çmimi. Mund të them që një çmim sillet rreth 10 për qind dhe më lart”, thotë Gacaferri.

Ndryshe, ekspertët për çështje ekonomike, kohë më parë, kanë potencuar se kamatat e larta po e pengojnë zhvillimin ekonomik dhe po krijojnë ambient për dështimin e shumë bizneseve, për shkak të ngarkesës së lartë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG