Ndërlidhjet

Autoritete vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë shprehën bindjen se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, i cili më 13 dhjetor do të zhvillohet në 21 komuna në vend, do të jetë i suksesshëm. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili u zotua t’i ketë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë të diel, tha se qysh më 15 nëntor ka dëshmuar se është në gjendje të organizojë zgjedhje, siç shprehet, në përputhje me standardet ndërkombëtare.


Përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zotohen t’i kenë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale i cili, të dielën më 13 dhjetor, do të zhvillohet në 21 komuna në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, tha se tashmë kanë arritur fletëvotimet, të cilat, sipas saj, shumë shpejt do të shpërndahen nëpër këshillat e vendvotimeve dhe se janë akredituar edhe 1300 vëzhgues shtesë, në mënyrë që procesi zgjedhor këtë fundjavë të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Kemi bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet për raund të dytë të jenë të lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Lushta, pas një takimi të përbashkët me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ambasadorët e shteteve të Kuintit.

Pritjet e liderëve vendorë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë për ecurinë e balotazhit këtë të diel, janë pozitive.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova ka krijuar një bazament të fuqishëm në aspektin zgjedhor qysh në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 15 nëntor.

Presidenti Sejdiu u bëri thirrje për dalje në votime qytetarëve të atyre komunave të Kosovës, ku do të zhvillohet balotazhi.

“Njerëzit, apo qytetarët, e kanë për borxh, pavarësisht se mund të jetë ditë me mot pak më të vështirë, që të dalin prapë ditën e diel dhe të votojnë për njerëzit që ata duan t’i zgjedhin dhe t’u japin shansin për punë më të suksesshme në ecjen e mëtejme në mandatin e ardhshëm katërvjeçar”, theksoi Sejdiu.

Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, shprehu bindjen se në mbrëmjen e 13 dhjetorit do të mund të flitet për një pjesëmarrje të suksesshme të votuesve kosovarë.

“Trembëdhjetë dhjetori do të jetë një ditë tjetër e madhe për Kosovën. Mendoj se zgjedhjet do të shkojnë shumë mirë. KQZ-ja e ka dëshmuar veten se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe jam i bindur se do të kemi një dalje të suksesshme deri të dielën mbrëma”, vlerësoi Dell.

Vlerësim të njëjtë kishin dhe ambasadori italian në Kosovë, Majkëll Gjifoni, dhe ai i Britanisë së Madhe, Endri Sparks.

Ky i fundit tha se mbesin ende disa sfida, por se ecuria e zgjedhjeve lokale në Kosovë në përgjithësi, siç theksoi ai, dëshmon zhvillimin e demokracisë në vend.

“Pesëmbëdhjetë nëntori ishte një hap i fuqishëm përpara për Kosovën në dëshmimin e vetes si një shtet i vlefshëm në Evropë. Natyrisht se ka gjëra që kanë nevojë të përmirësohen”.

“Nuk ka zgjedhje të përkryera, madje as në Mbretërinë e Bashkuar, por ishte me të vërtetë një arritje e mirë dhe jam i bindur që më 13 dhjetor do të përmbyllet një proces i kënaqshëm për përparimin demokratik të Kosovës”,
u shpreh Sparks.

Partitë politike në Kosovë, të cilat do të garojnë për balotazh, pra Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Lidhja Demokratike e Dardanisë, një kandidat i pavarur dhe dy kandidatë nga subjektet politike serbe, tashmë kanë filluar fushatën paraelektorale, e cila zyrtarisht përfundon më 11 dhjetor.
XS
SM
MD
LG