Ndërlidhjet

(Mos)Respektimi i të drejtave të njeriut


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve kosovare, që merren me të drejtat e njeriut, thonë se respektimi i tyre nuk është në nivel të kënaqshëm.


Mosrespektimi i të drejtave të njeriut, në rend të parë, vjen si pasojë e moszbatimit adekuat të instrumenteve ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës.

Kështu thonë, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të mekanizmave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Hilmi Jashari, zëvendës i avokatit të popullit, thotë se sundimi i ligjit përbën gurthemelin e çdo shoqërie demokratike, në të cilën respektohen parimet e të drejtave të njeriut.

“Si duket, vështirësia numër një në Kosovë vazhdon të mbetet zbatimi adekuat i të gjitha instrumenteve ligjore që aprovohen nga Kuvendi i Kosovës, ose ato që janë aprovuar më herët dhe ende janë në fuqi”.

“Moszbatimi i ligjeve që në një farë mënyre nuk ndikon në përmirësimin e situatës, nuk siguron mekanizmat e përshtatshëm që do të ishin marrë me shqyrtimin e këtyre pretendimeve për shkelje dhe, në një farë mënyre, gjithë sistemi rrezikon të mos jetë efektiv”,
thotë Jashari.

Sipas Jasharit, moszbatimi i ligjeve në Kosovë, ka bërë që në institucionin e Avokatit të Popullit të paraqiten ankesa të shumta të qytetarëve kosovarë.

Por, ai përmend edhe ankesat e komunitetit serb që, në disa raste, sipas tij, dallojnë nga problemet e shumicës së popullatës.

“Shumica prej tyre u referohen problemeve të vazhdueshme që kanë pasur lidhur me shfrytëzimin e pronës, ose të drejtën e pronës. Tash, së voni, ka disa ankesa që janë parashtruar lidhur me përdorimin e gjuhës zyrtare”.

“Ndërsa, një pjesë tjetër reflekton po të njëjtat probleme që i ka shumica e popullatës në Kosovë. Do të thotë të njëjtat probleme, sikurse Gjyqësori, në administratë etj.”,
sqaron Jashari.

Edhe njëri nga përfaqësuesit e komunitetit serb, Rangjel Nojkiq, pohon se pjesëtarët e këtij komuniteti nuk janë mjaft të kënaqur me respektimin e të drejtave të tyre.

Nojkiq numëron ankesat më të shpeshta të serbëve:

“Ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me vjedhjet, uzurpimin dhe kthimin e pronave. Po ashtu, serbët e zhvendosur më 1999 dhe 2004 nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Nojkiq shton se institucionet kosovare miratojnë ligje pro-evropiane, por ato nuk zbatohen edhe në praktikë dhe pikërisht për këtë, sipas tij, institucionet kosovare kanë një notë negative.

Por, ndryshe, mendojnë zyrtarë qeveritarë. Sipas tyre, vjetëve të fundit ka pasur përmirësim në fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët kosovarë.

Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, thotë se Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje maksimale për krijimin dhe zbatimin e infrastrukturës ligjore.

Ai, në këtë kuadër, përmendi edhe miratimin një vit më parë, të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për të Drejtat e Njeriut.

“Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët vendorë, me shoqërinë civile në përgjithësi, ka bërë përpjekje maksimale për krijimin e infrastrukturës ligjore, si dhe krijimin e mekanizmave, gjegjësisht, hartimin e politikave për zbatimin e një sërë projektesh, në fokus me të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit”, thekson Hajredini.

Sidoqoftë, edhe organizata të ndryshme ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, disa herë kanë tërhequr vërejtjen për këtë çështje, kryesisht për dështimet në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe për mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG